Aktuale

UNESCO: Ohri, trashëgimi botërore në rrezik?!

Çfarëdo që do të jetë vendimi për rajonin e Ohrit, do ta respektojmë, por do të ishte mirë të marrim afat shtesë. Këtë e ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev sot në Ohër, në vigjilje të vendimit nëse “perla e Maqedonisë” do të jetë në listën e UNESKO-s si trashëgimi botërore në rrezik. Megjithatë, ai është i kënaqur nga rezultatet e deritanishme dhe shtoi se qytetit do të zhvillohet edhe më tej.

“Vendimi na është njoftuar, se rajoni i Ohrit do të vendoset në Listën e trashëgimive botërore në rrezik. Por, falë kryetarit dhe administratës së komunës, me të gjitha argumentet që u hapën edhe nga Ministria e Kulturës edhe nga kabineti im, të cilët janë në debat të vazhdueshëm dje dhe sot, vërtetë ndryshon imazhi për shkak të rezultateve që janë arritur deri më tani”- deklaroi Zoran Zaev- kryeministri.

Sipas Zaevit, për këtë situatë përgjegjësia s’mund të detektohet kurse mendon që më e rëndësishme është të merren mësime.

“Përgjegjësinë nuk mund ta gjeni as në ligjet tona e as në ato ndërkombëtare, sepse kjo përgjatë kohës është gjithçka e lejuar. Në fund shtetet nuk kanë për qëllim të dënojnë ose të hapin procese gjyqësore ose procese tjera. Qëllimi kryesor është që të mos përsëritet ajo që Ohrin, Liqenin e Ohrit, bregun dhe gjithë rajonin e mbrojtur e ka sjellë deri në këtë pikë që të diskutohet për këtë. kjo le të jetë mësim dhe të mësojmë nga kjo”- deklaroi Zoran Zaev.

Për statusin e rajonit të Ohrit duhej të votohet dje në qytetin Kinez, Fuxhou ku mbahet sesioni i Komitetit për trashëgimi botërore të UNESKO-s. Ndaj propozim-vendimit që Ohri të vendoset në listë ka reaguar edhe Komisioni nacional i UNESKO-s së Bosnjës dhe Hercegovinës e cila ka propozuar amendament me të cilin propozohet që Shqipëria dhe Maqedonia të vazhdojnë të veprojnë sipas rekomandimeve të UNESKO-s dhe të dorëzojnë raport përfundimtarë për dy vjet. Ndërsa deri atëherë Ohri të mos vendoset në listë. Ndryshe, kryetari i Ohrit, Konstantin Gjeorgjievski, paralajmëroi se ndërtimet e paligjshme do të prishen pas mbarimit të sezonit turistik, ndërsa deri atëherë të mos ndërtojnë ndërtime tjera, ose t’i përfundojnë objektet që tashmë kanë filluar të ndërtohen.

Alsat

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button