Zhurnal :“Korona-Virusi” i popullit, po edhe i Ali Ahmetit !

Shkruan Bexhet Musliu

Të gjithë e dimë se kërmilli duke lëpirë ka arritur të ngjitet në majen e lisit. Siç e dimë që në Maqedoni ka shumë politikanë shqiptarë, të cilët me strategjinë e kërmillit janë ngjitur në majat e politikës. Vetëm duke lëpirë, pa poseduar asnjë vlerë tjetër me të cilën do të shquheshin. Pak duke lëpirë në një parti, pak duke lëpirë te partia tjetër, pak te UDBA, pak te KOS-i, kanë arritur të bëhen drejtorë, ministra, deputetë e zëvendës ministra. Nuk kam ç’ju tregoj më tepër, sepse i njihni edhe ju si unë, e ndoshta më mirë se unë.

Sa mendojmë se do të zhduken, ata vetëm vijnë e shtohen edhe më tepër në skenë.

Edhe personazhi kryesor i kësaj kolumne ka përdorur strategjinë e kërmillit për të avancuar në politikë. Ka lëpirë e çlëpirë sa ka mundur. Fillimisht në sektorin civil, e pastaj edhe në grazhdin e partisë. Vetëm që të bëhet dikush në politikë. Me siguri e qëlluat emrin e tij pa pasur nevojë ta përmendi unë fare. E dini edhe ju se kush është sinonim i avancimit në politikën shqiptare në Maqedoni sipas strategjisë së kërmillit, respektivisht strategjisë së lëpirjes.

Por ai nuk është mjaftuar vetëm me kaq. E ka avancuar edhe më tepër strategjinë e kërmillit për t’u ngjitur lart. E ka perfeksionuar këtë strategji duke e shndërruar nga strategjia “lëpij” në strategji “pështyj-lëpij”.

Është e tmerrshme kur zbulon detaje për karrierën e një politikani për të cilin ke besuar se është edhe intelektual edhe patriot. Për të cilin ke besuar që i takon gardës së re intelektuale, që do të fusë mendësi të re politike. Edhe më keq është sepse i ke ofruar hapësirë të zgjeruar dhe mbështetje mediatike, pikërisht nga bindja se i posedon këto vlera.

Madje kohëve të fundit, çuditërisht po krijohet një huti e madhe brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Me të drejtë aktivistët pyesin, kush është lider i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti apo Artan Grubi?

Gati që të dy flasin të njëjtat gjëra vec me ca dallime kozmetike. Tani parashtrohet pyetja, kur flet Ali Ahmeti, flet me fjalët e Artan Grubit apo anasjelltas, apo kur flet Artan Grubi, flet me fjalët e Ali Ahmetit?

Ka kohë që është krijuar kjo habi në BDI se si Artan Grubi menaxhon kreun e partisë Ali Ahmetin, me çfarë e ushqen?

Disa herë nën sugjerimet e “papagallit”, Ahmeti ka rënë preh e strategjisë së tij të gabuar në politikë por dhe gjatë fjalimeve nëpër disa tubime partiake.

Qytetarët e dinë më së mirë që fjalori i Ali Ahmetit gjatë luftës para se të hy në politikë ka qenë krejtësisht ndryshe, ndërsa pasi emëroi Artan Grubin si shef të kabinetit, ndryshimet i vërejnë edhe tërë partia e tij, e për këtë ndaj dhe unë mendimi e njëjtë (personal) ndaj deputetit Grubi.

Më kujtohet si sot vite më parë kur në disa media doli një lajm me titull, “Kush po e rrënon Ali Ahmetin”.

Ishte kritikë publike nga Ish-deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti e cila publikisht potencoi se autoritetin e Ali Ahmetit është duke e rrënuar shefi i kabinetit të tij, Artan Grubi.

Atë kohë Mehmeti, ka shigjetuar me fjalë të rënda bashkëpartiakun e deridjeshëm, Artan Grubi, duke e quajtur “Huligan dhe nxitës i konflikteve”.StrugaLajm

Gafet dhe skandalet e Artan Grubit nuk kanë fund

Më i freskët është një fjalim i tij gjatë fushatës presidenciale të vitit 2019 kur ka përdorur akuza të rënda kur ka folur për kandidatin shqiptar për president Blerim Rekën. Grubi, i cili po fliste në një tubim të BDI-së në sheshin Skenderbeu në Shkup, nga ku kërkonte vota për kandidatin maqedonas për president Stevo Pendarovskin, ka thënë se çdo votë për Rekën është votë për defaktorizim të shqiptarëve.

Në një moment gjatë fjalimit të tij, Grubi i’u drejtua Rekës me disa shprehje me të cilat i drejtohen klerikët mysliman të vdekurve gjatë varrimit, që në popull njihet si këndimi i tallkinit. Mbase, në këtë mënyrë Grubi ka tentuar t’i dërgojë Rekës porosi se do të varroset politikisht në këto zgjedhje presidenciale, por disa opinionist këtë fjalim të Grubit atëherë e cilësuan si të turpshme duke shkuar aq larg sa të ia dëshiron edhe “vdekjen” kandidatit shqiptar. Tani ky fjalim, këto mendime të Grubit, a janë edhe mendime edhe të liderit të tij Ali Ahmeti.

“O Blerim i biri i Hamzës, jo i Kastrioteve, por i Rekës, çdo votë për ty është votë për VMRO DPMNE, çdo votë për ty është votë për regres e jo përprarim”, kanë qenë disa nga fjalët e Grubit.

Por kur është në pyetje Grubi, ti kthehemi edhe statusit të ish luftëtarëve të UÇK-së.

Artan Grubi çdoherë thirret në UÇK-në por deri më tani si deputet nuk ka bërë asgjë që të zgjidhet statusi i tyre. Madje në një fjalim të një tubimi partiak, Grubi në mungesë së ofertës para të pranishmëve, papritmas filloi të uluronte UÇK, UÇK, UÇK……. sa që të pranishmit u ndalën duke e shikuar se çfarë ka ky njeri, mos vallë është çmendur? Përderisa ai si deputet, ende nuk ka tentuar të inicoj zgjidhjen e statusit të ish ushtarëve të UÇK-së mbetet i pazgjidhur. Ai për statusin e UÇK-së nuk pranon se ish ushtarët e UÇK-së janë lënë mënjanë, duke e quar “lëshim të vogël”.

Truri i Grubit shkoi aq largë sa që edhe Ziadi Selës i tha se është “kukavic” dhe prandaj e kanë rrahur në Parlament. Grubi poashtu ka ofenduar partinë e tij Aleanca për Shqiptarët duke i pyetur se ku kanë qenë në 2001 kur këta kanë luftuar për të drejtat e shqiptarëve. Por Grubi nuk e pyet së pari veten se ku ka qenë në vitin 2001?

Personat si ky i fundit nuk i bëjnë mirë shoqërisë, sidomos nëse kemi parasysh të kaluarën e deputetit në fjalë kur ishte aktivist i shoqërisë civile, e të mos flasim për rastin e kalasë në Shkup. Rinisë duhet t’i jepen shembull krejtë ndryshe nga profili i Artan Grubit. Truri i tij nuk më ka shpalosur gjë tjetër, përpos një shembulli tipik i një sahan-lëpirësi mbi supën e dikujt tjetër.

Uroj sinqerisht që gjatë ndryshimeve të kodit zgjedhorë, që ciklet e ardhshme zgjedhore qytetarët të mund të votojnë me lista të hapura, e jo sikur tani kur kanë votuar deputet “pa fytyrë” me lista të mbyllura.

Shkurt, me lista të hapura pastrohet skena politike nga njerëzit “pa fytyrë” e nga tribalistët partiak që kanë përvetësuar gjithçka në skenën politike. Me lista të hapura u çelet fytyra deputetëve, ska më askush të fshehet pas maskës së liderit.

Një fjalë popullore thotë “Zoti para se ta marrë shpirtin, zoti ta merr fytyrën”. Fjali e urtë që ka peshë të veçantë pikërisht për personat si personazhi kryesor i kësaj kolumne.

Për fund, kjo kolumnë e imja vetëm i është përshtatur fakteve dhe argumenteve që i gjithë opinioni e di për veprimtarinë politike të personazhit në fjalë.

In : Aktuale

Loading...
loading...