Ziadin Selën dhe Bilall Kasamin i presin Kongreset

Fillon gara partiake

Përderisa Lëvizja BESA ka caktuar datën 24 shkurt të vitit të ardhshëm për mbajtjen e Kongresit zgjedhor, Aleanca për Shqiptarët pritet që garën partiake të fillojë në pranverë, por datën e saktë për mbajtjen e Kongresit pritet ta caktojë Kuvendi Qendror në mbledhjen e radhës më 25 dhjetor

Fatos RUSHITIStrugaLajm

Shkup, 11 dhjetor – Pas garës politike në dy cikle zgjedhore, ato parlamentare vitin e kaluar dhe ato lokale në tetor të këtij viti, Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët do ti nënshtrohen edhe garës së brendshme partiake përmes organizmit të Kongreseve zgjedhore, shkruan gazeta KOHA. Përderisa Lëvizja BESA ka caktuar datën 24 shkurt të vitit të ardhshëm për mbajtjen e Kongresit zgjedhor, ASH pritet që garën partiake të fillojë në pranverë, por datën e saktë për mbajtjen e Kongresit pritet ta caktojë Kuvendi Qendror në mbledhjen e radhës më 25 dhjetor. Të dyja këto parti, sipas asaj që thonë funksionarë të latë partiak, nga përcaktimi ideologjik do të vazhdojnë të jenë parti të djathta të qendrës, ndërkaq kongreset zgjedhore do tu shërbejnë për të forcuar radhët me kuadro të rinj, shumica profesionistë të fushave të ndryshme.StrugaLajm

“Vetëm se kemi vendosur që Kongresi të mbahet më 24 shkurt, dhe shumë shpejtë do të fillojmë edhe me zgjedhjet partiake nëpër degë dhe nëndegë në të gjitha vendbanimet ku kemi shtrirje në Maqedoni. Sa i përket orientimit ideologjik, tek BESA mbizotëron mendimi që të profilizohemi si parti e qendrës së djathtë, ndërkaq Programi politik do të marrë për bazë vlerat dhe traditat e popullit shqiptarë në Maqedoni me synim ruajtjen dhe kultivimin e tyre në të gjitha institucionet lokale dhe qendrore. BESA do të zhvillojë një garë demokratike dhe do të jap shembull për demokratizimin të partisë për partitë tjera. Gjatë garës partiake, në mënyrë absolute do të jemi të hapur ndaj prurjeve të reja, gjegjësisht ndaj profesionistëve të fushave të ndryshme. BESA me zgjedhjet e lokale duke pasur kandidat edhe kryetarin e saj për Komunën e Tetovës dha shembullin e mirë se lideri duhet marrë përgjegjësi politike duke i nënshtruar garës e jo duke i ikur garës siç ka ndodhë rëndomë në Maqedoni për këto 27 vite demokraci tek partitë shqiptare”, theksoi për gazetën KOHA, anëtari i Kryesisë qendrore në Lëvizjen BESA, njëherësh deputet – Fadil Zendeli. Ai nuk deshi të flas prej përpara lidhur me kandidatët e mundshëm për kryetar të BESËS, por tha shkurt se “çdokush që mendon se është i gatshëm të marrë përsipër udhëheqjen e partisë, jo që nuk do të pengohet siç janë penguar të shfaqin ambiciet në partitë tjera, por do të mirëpritet që të bëjnë garën më atraktive dhe më demokratike”. Në pyetjen tonë se pse është vonuar tre vite BESA për të mbajtur Kongres të rregullt zgjedhor, Zendeli tha se partia ka dashur të jetë e hapur ndaj njerëzve dhe nga organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të shihen më qartë potencialet kadrovike në parti. Ndërkohë, tek Aleanca për Shqiptarët – parti kjo që ndërroi emrin para zgjedhjeve lokale, thonë se vetë emri i ri nënkupton se partia gjatë Kongresit do të mirëpres në gjirin e saj komunitetin akademik dhe organizatat joqeveritare të japin kontributin tyre në rritjen e partisë.

“Më 25 dhjetor do të ketë mbledhje Kuvendi Qendror dhe kjo do të jetë e fundit para mbajtjes së Kongresit zgjedhor në pranverë të vitit të ardhshëm. Pjesa e parë do të jetë Analiza e rezultateve të zgjedhjeve lokale, më pas do të vendoset data dhe Komisioni për organizmin e Kongresit. Ajo që ka rëndësi të përmendet është se nga vetë emri Aleancë, obligohemi të ofrojmë komunitetin akademik, organizatat joqeveritare, por dhe njerëz që shquhen për kontribute tek shqiptarët në Maqedoni. Përveç departamenteve kur pritet të përfshihen profesionistët, ne si organe të veçanta kemi Këshillin Mbikëqyrës dhe Këshillin për Politika Strategjike, ku persona me kredibilitet të lartë profesional do të ndihmojnë në profilizimin ideologjik të partisë që sipas të gjitha gjasave do të jetë parti e qendrës me nuance nga e djathta. Kjo, pasi nuk duam të përcaktojmë limite prej përpara në këtë aspekt. Qëllimi është forcimi dhe rritja strukturore partiake. Rezultati në zgjedhjet lokale jep shpresë se ASH do të jetë partia me një ardhmëri të ndritur e shqiptarëve në Maqedoni. Shembuj se si profesionistët e rinj ishin të suksesshëm në politikë e kemi FRESHI-n në PS dhe KOPIN në PD në Shqipëri dhe qeverinë në hije të PDK-së në Kosovë”, thanë për gazetën KOHA nga Departamenti për informim i ASH-së. Lidhur me garën për të parin e partisë, nga ky departament thonë se gara do të jetë e hapur për secilin, përfshirë dhe kryetarin aktual Ziadin Sela. “Presim që përveç Selës, të ketë dhe kandidat tjerë për kryetar të partisë. Gara është e hapur për secilin në parti, nuk ka kufizime kur bëhet fjalë për kreun e partisë”, theksuan nga departamenti për informim në ASH. Ndryshe Lëvizja BESA u themelua më 22 nëntor të vitit 2014, ndërsa anëtar të Këshillit Themelues ishin Bilall Kasami, Suad Amzai, Avdush Demiri, Emad Mehmeti, Adnan Azizi, Afrim Gashi, Agim Alili, Amet Zyberi, Hatixhe Maksuti, Hazbi Mamuti, Aziz Idrizi, Bejtulla Demiri, Blerim Sejdiu, Daim Luçi, Behar Sali, Ermira Asani, Fatmir Ejupi, Esmir Selmani dhe tjerë. Kjo parti u bë e njohur me Platformën saj për ridefinimin e shtetit, ndërkaq parti parlamentare u bë në zgjedhjet e fundit – më 11 dhjetor të vitit 2016 duke fituar pesë deputet. Sa i përket pozicionit politik, Lëvizja BESA është partia opozitare, por që përkrah Qeverinë në agjendën e saj reformuese. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët fillimisht u themelua me tjetër emër – si Lëvizja për Reforma në PDSH, në 28 shtator të vitit 2015. Kjo parti ndërroi emrin nga LR-PDSH në Aleanca për Shqiptarët një muaj para zgjedhjeve lokale, ndërsa është parti në pushtet bashkë me LSDM-në dhe BDI-në. Në zgjedhjet parlamentare, ASH ishte në koalicion me RDK-në dhe UNITEITIN duke fituar tre deputetë. Por para zgjedhjeve lokale, ASH prishi koalicionin me këto dy parti, ndërsa në rrethin e dytë zgjedhor të lokaleve ishte në koalicion me Lëvizjen BESA dhe fitoi tre komuna: Gostivarin, Vrapçishtin dhe Bogovinën, ndërsa BESA fitoi në Zhelinë. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...