Desha të kandidoj për kryetar komune…

 

( satireskë )

Sipas rregullit, duhej të kisha bërë disa udhëtime: jashtë e brenda vendit! Ky vërtetim pranohej si përvojë pune në fushën e politikës!..Nuk kisha bërë të tilla udhëtime, por ekzistonte një ekstramundësi, sado e rëndë që dukej. Kjo e fundit që i plotësonte të gjitha pikët, kërkonte që kandidati të kishte bërë patjetër një Takim Sy më Sy me presidentin Tramp!..E mora mundimin dhe ia mësyva Amerikës (ilegalisht sigurisht) . Në kryeqytetin e Meksikos takova edhe shumë kandidatë të tjerë që prisnin të kapërcejnë murin për në USA…Po, nuk thonë kot: Kur do Zoti, do edhe kali…Sipas paraqitjes së jashtme dukesha pak meksikan, pak arab e shumë më pak shqiptar…Këtë të fundit qëllimisht e maskova pak sa për t’i dhënë përparësi dy pamjeve të para… Kisha dëgjuar që presidenti Tramp i paska shumë për zemër meksikanët dhe arabët, pavarësisht se ç’thotë propaganda antitrampiste…U futa në një zyrë me personin që m’u afrua vet (më vonë e mora vesh që personi në fjalë ishte njohës i mirë i pamjeve të jashtme i të gjithë turistëve politikë) dhe menjëherë, meqë pamja më përshtatej, filloi procedura!.. Aty kishte foto të gatshme të personaliteteve amerikane dhe sipas përzgjedhjes së gjithësecilit, montoheshin edhe takimet, qoftë me presidentin, qoftë edhe me ndonjë tjetër, dhe kushtonte shumë lirë, sa një dasëm synetllëku në fushën e pollogut për shembull!..Mua, si fillestar, më ineresonte presidenti, sepse, siç tregova në fillim, ai kishte më shumë poena nga i gjithë senati dhe kongresi së bashku…Kusht i vetëm ishte, që fotoja e personit që dëshiron të takosh, të ketë ndonjë kafshë afër që të mund ta fshijnë dhe mbi atë vendosej fotografia e politikanëve shqiptarë…Unë për shembull, për të qënë transparent me elektoratin, zgjodha kalin për vete, desha më shumë hapësirë të kem në foto. Edhe ashtu kafshët tjera ishin harxhuar…Pas disa provave profesionale, u gjet një pozicion i përshtatshëm i presidentit… Në fakt, edhepse ishte me vetdëshirë, takimi im u zhvillua imponueshëm në një livadh (ku ta gjeje një kalë aq të madh nëpër zyra)…Dhe dukem plotësisht i natyrshëm: ballë për ballë në një livadh me presidentitn Tramp, ku zhvilluam bisedime nga më të ndryshmet. Do ta shihni filmin gjatë fushatës zgjedhore, është i metrazhit të gjatë!..
Posa u ktheva nga takimi Sy më Sy në mes të livadhit, takova një mikun tim që kishte bërë karierë të gjatë politike me këto filma. Nga gëzimi, nuk u përmbajta dot dhe i tregova pikë e për pe për marifetin tim….
O injorant, tha ( shoqërisht sigurisht), përse ke bërë aq harxhime kot!..
Ishte fare lirë i thashë!
Këtu tek ne janë shumë më lirë ato marifete – tha, i shet ambasada amerikane vet!..
Eu bre, ç’më hipi gjaku në majë të kokës, po kaq budalla të kem qënë e të mos e kem ditur…

Lebit Murtish