Gazetari i prestigjozes gjermane “Bild”, Peter Tiede paralajmëroi ditën e djeshme se një tjetër shkrim do të publikohej së shpejti prej tij për shit-blerjen e votave nga Partia Socialiste në Shijak dhe Durrës,
konkretisht nga kryetari i Bashkisë Vangjush Dako me Astrit Avdylin gjatë fushatës elektorale të vitti 2017.
Sipas gazetarit, pjesë e shkrimit do të jenë edhe regjistrime të plota të përgjimeve të telefonatave dhe shembuj nga rasti i Astrit Avdylit, i njohur ndryshe edhe si një nga të fortët e bandës së Shijakut.
Me sa duket “Bild” e mbajti premtimin dhe ka publikuar ditën e sotme një bisedë mes Dakos, Avdylajt dhe një biznesmeni të quajtur Vath Alla ku këta të fundit ndodhen në zyrën e regjistrimit të pronave e bisedojnë për t’u takuar në Ishëm.
Avdylaj e pyet nëse ka fjetur mbrëmë pasi ka takuar Edi Ramën, ndërsa ia mbyll bisedën me një “Të du fort”.
Gazeta e njohur gjermane ka publikuar sot një seri përgjimesh të reja që implikojnë Astrit Avdylajn, kreun e bandës kriminale të Shijakut me zyrtarë të Partisë Socialiste.
Një ndër përgjimet e forta të publikuara nga gazeta e njohur gjermane ‘Bild’ është edhe biseda e Astrit Avdylajt me Arjan Ndraxhin, vëllain e Ilir Ndraxhit, aktualisht deputet i PS në Shijak.
Në këtë bisedë, Astrit Avdylaj, kreu i grupit kriminal të Shijakut i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama përmes Vangjush Dakos, kryebashkiakut të Durrësit, që Ilir Ndraxhi (aktualisht deputet) të vendoset në listën e kandidatëve të të PS në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.
Gjatë bisedës telefonike, Astriti e pyet të vëllain nëse kandidati i mundshëm i PS për deputet ka marrë ndonjë telefonatë nga lart (Rama) për t’u konfirmuar si kandidat i PS.
Më tej, Astriti zotohet se ata do punojnë fort që ta surprizojnë “të gjatin” me një rezultat pozitiv 10 me zero.
Në fokus të bisedave janë shit-blerjet e votave në zgjedhjet e 2017-ës. Në përgjimin e mëposhtëm, dëgjohet Astrit Avdylaj duke i kërkuar Ivo Doçit, drejtorit të UKT Shijak listën e punonjësve, sipas tij me PD, të cilëve përmes presionit të vendit të punës duhet të votojnë për PS.
Tiede u kryqëzua nga ana e qeverisë pas publikimit të artikullit të tij të parë, me pretendimin se ai ishte i blerë dhe kishte lidhje me opozitën, akuza të cilat ai i ka mohuar tërësisht.