DEKALOGU I SHQIPËRISË QË RILINDI NË DIKTATURË nga Elvis Hoxha
- Shet votën dhe menjëherë niset në Francë dhe kërkon azil.
- Më thotë se këtu nuk jetohet, pastaj voton për Ramën.
- Më thotë se ky qytet është fjetore, por voton për ata që e shkatërruan këtë vend me ndërtime.
- Më thotë se në këtë vend nuk ka ku ta kalosh kohën veç lokalit, por nuk erdhi kurrë të mbrojë teatrin.
- Më thotë se po largohen tërë të rinjtë, por pastaj voton pa iu dridhur qerpiku hajdutët.
- Më thotë se nuk ka zgjedhje tjetër, ngaqë vetëm këto partitë e vjetra janë, por kur lindin parti të reja, natyrisht që përsëri voton për të vjetrat.
- Më thotë se në 4 vitet e fundit pagesa në faturën e ujit është rritur 220%, por prapë voton njësoj.
- Më thotë se vjedhja e të dhënave të qytetarëve është katastrofë, por përsëri ia jep votën atyre që vodhën të dhënat.
- Më thotë se jeton me punë të ndershme, por përsëri ia jep votën atij që grabit pasurinë publike.
- Më thotë se nuk kishte mundësi ta shëronte vëllanë në Turqi, por kur shiti votën e harroi vëllanë.
Ç’është njeriu parapolitik:
Ai që nuk vjedh vetë, por i jep hajdutit votën.
Ai që nuk mendon se po i prish punë vetes me votën e vet.
Ai që mendon se për rrënimin e madh e kanë fajin të tjerët, por jo ai vetë.
Ai që mendon se të rinjtë natyrshëm kanë lindur për të jetuar diku tjetër, por jo në atdheun e tyre. Ai që mendon se këtu drejtojnë të huajt dhe jo ai vetë.
E kështu me radhë…