Dy plumba në kokë dhe në gjoks,mori greku nga policia shqiptare

Policia e Shtetit dhe Forcat RENEA kanë njoftuar se 35-vjeçari, Kostandinos Kaçifa, që hapi zjarr ndaj tyre ka mbetur i vrarë në Bularat të Gjirokastrës.
Mësohet se kanë qenë dy goditje fatale që Kaçifa ka marrë, një në gjoks dhe një në kokë. Që prej paradites së sotme fshati Bularat i Gjirokastrës u ‘blindua’ nga policia, pasi kjo e fundit u vu në ndjekje të një 35-vjeçari grek që hapi zjarr ndaj mjetit të bluve.
Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Kaçifa pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të tyre. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër shkuan forcat speciale Renea, aksion ky që përfundoi me vrasjen e 35-vjeçarit.
Autori ishte fshehur pranë depos së ujit në Bularat, ndërkohë që mes tij dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu 35-vjeçari qëlloi herë pas here ndaj policisë pasi kur u largua nga vendi i ngjarjes kishte edhe tre karikatore me vete, ndërsa me pas u ekzekutua nga policia.

StrugaLajm
In : Aktuale

Loading...
loading...