Gabimet me referendumin-Nazim Rashidi

Partitë në vogëlsinë e tyre të gjitha harrojnë se janë reflektim i aspiratave të votuesve të tyre që me vite kanë qenë pro NATO e BE. Ishte NATO vetë që për Spootasit tha se ishin të pafajshëm. Ishte NATO që solli lirinë në Kosovë. Është NATO që aktualisht jep praktikisht mesazhin se shqiptarët janë pjesë vlerave perëndimore. Ishte NATO dhe BE që përfundi konfliktin në Maqedoni…

Nga Nazim RASHIDI
Shumica e qytetarëve në Maqedoni gjithmonë ka qenë pro NATO dhe BE. I tillë është sentimenti edhe sot, sipas disa sondazheve. Por sentimeti nuk është mbështetës ndaj klasës politike. Sidomos popullsia shqiptare ka një rezervë për gjithçka që ka ndodhur muajt e fundit, e cila lidhet kryesisht me zhgënjimet që i prodhon politika.
Partitë se pranojnë por frika e shprehur nën zë është se ky sentimet, mund të krijojë efektin e mosdaljes në votime si dënim ndaj klasës politike, e jo si kundërshtim ndaj integrimeve apo mosmbështje të referendumit. Dhe si vërtetim të kësaj që po them, ndodhi Sopoti. Për herë të dytë. Për herë të dytë ata që ishin të pafajshëm e dergjeshin burgjeve iu tha se shteti s’mund të bëjë asgjë ndaj jush. Normal vjen pyetja: E pse të dal në referendum? Të lëmë këtë shtet e këta politikanë ende në pushtetet plot papërgjegshmëri? Njoftimi se të pafajshmit mund të mos dëmshpërblehen, përforcon të gjitha ndjesitë se ky shtet smund të jetë i drejtë.
Qarkulluan në media deklaratat e ministres së njëjtë të drejtësisë Renata Deskoska se si kish thënë më herët se duhej dhe si thoshte tani se mund të mos bëhej dëmshpërblimi, ndërkohë që i gjithë opinioni ende dëgjon ekon e zërit irritues të Gordana Jankullovskës, ish-ministres së Brendshme kur thoshte se sopotasit janë të pafajshëm.
Kjo s’bie era Evropë apo jo? Dhe me të tilla situata nuk bindet dot opinioni se klasa politike, establishmenti në përgjithsi po reflekton apo se ka ndryshuar në veprime.
Për ironi, po sot, kur po botohet ky tekst rreth 40 zyrtarë të qeverisë së Maqedonisë janë në Bruksel. Fillon sot “screening”-u, apo grafia e kapaciteteve të shtetit nga ana e Bashkimit Evropian. Me këtë hap fillohet hyrja në BE dhe i cili praktikisht është një vlerësim për të gjitha kapilaret e shtetit për të dhënë diagnozë se sa kohë i duhet Maqedonisë që të shërohet dhe të konsiderohet shtet sipas standardeve të BE-së.
I pari kapitull, apo fushë që hapet për një analizë të tillë, por njëkohësisht edhe mbyllet i fundit është ai 23. Kapitulli i drejtësisë dhe të drejtave fundamentale. Baza ligjore e të gjithë vlerave evropiane, që nga të drejtat themelore të njeriut e deri tek specifikat më të detajuara të fushave të ndryshme të funksionimit të BE-së.
Pikërisht atë që duan njerëzit e që është standarde evropiane. Por si do arrihen këto standarde pa qenë pjesë e BE-së kur shprehen rezerva dhe mund të mos votohet pro referendumit si rezultat i veprimeve të klasës politike, por që do të thoshte një STOP për këtë aspiratë.
Një institucion tjetër i rëndësishëm i BE-së është Gjykata Evropiane e Drejtësisë e cila konsiderohet si Gjykata Kushtetuese e BE-së. Detyra e saj është të sigurojë zbatimin e ligjeve të BE-së në të gjitha vendet anëtare. Gjykata ka juridiksion ndaj vendeve anëtare dhe mund të sjellë vendime kundër tyre. Është kjo ajo shtysë dhe shpresë se pse gjërat do të duhet të bëhen më mirë nëse je vend anëtar i BE-së. Këto janë ato institucione e standarde që do të ndalojnë raste si Sopoti. Por si mund të ndodh kjo nëse referendumi dështon?
Çdo zyrtar i lartë i BE-së që erdhi në Maqedoni apo dhe që iu drejtua Maqedonisë tha se shansi për të qenë pjesë e sistemit të kërkuar, klubit me rregulla të qarta, është suksesi i referendumit.
Por paralelisht me zhgënjimin që sjell klasa politike ndodh edhe procesi tjetër ku thirrjeve për integrime duke mos mbështetur marrëveshjen mes Athinës e Shkupit, nuk i bashkohet VMRO DPMNE më e madhja e opozitës.
I dimë të gjithë procedurat, se në votime duhet të dalin gjysma e elektoratit dhe gjysma e tyre të votojë pro. Por çështja nuk është vetëm tek minimi i këtyre shifrave që synon një pjesë e eksponentëve të opozitës, çështja është edhe tek koncepti që sjell për shtetin referendumi.
Nga VMRO DPMNE, artikulohet qartë se pranimi i marrëveshjes në fakt sjell një humbje të ekskluzivitetit që kanë maqedonasit ndaj shtetit. Marrëveshja Athinë – Shkup krijon një inkluzivitet që në emërimin e institucioneve të shtetit, duke hequr fjalën “maqedonase” dhe duke e shndërruar në “të Maqedonisë”. Pra jo “Qeveria maqedonase” por “Qeveria e Maqedonisë së Veriut”terminologji aq e kërkuar nga shqiptarët, për të reflektuar inkluzivitetin e shtetit. Të kuptohemi, nuk bëhet fjalë për etninë, as në marrëveshje, por për emërimin e shtetit. Shtet që do të ishte i të gjithëve. Sërish si do të arrihet ky inkluzivitet, përfshirje e institucioneve, apo edhe emërimi i tyre më i drejtë, me të cilin do identifikohen të gjithë që janë në Maqedoni, nëse referendumi nuk kalon?
Zgjedhja për shqiptarët mund të duket e vështirë në kontekst të asaj, se meritat për këto integrime do ti marrë një klasë politike që mbase se meriton, por nga ana tjetër mbetet mundësia që kjo elitë të vazhdojë me papërgjegjshmërinë. Në një rast të tillë ç’të bëhet?
Pra cila është zgjedhja: Të dënohet klasa politike me mos votimin e referendumit duke e lejuar atë të vazhdojë të mbijetojë? Kontradiktore dhe aspak shpresëdhënëse është kjo.
Për fat të keq fushata për referendumin i ngjan fushatave zgjedhore. Me të drejtë njerëzit neveriten sepse ju kujton të gjithëve premtimet elektorale. Por në këtë rast nuk kemi të bëjmë fare me një gjë të tillë.
BDI tenton të jap mesazhin se është mbi proceset. Njerëzit lodhen nga qasje të tilla. Argumenti më banal por dhe i vërtetë që vjen nga njerëzit është “si do na çoni në Evropë kur mbytemi nga plehrat”. Dhe seriozisht si ka mundësi që këta kryetar komunash një herë si pastruan rrugët, shkollat, lagjet. Por sërish kjo votë nuk është dhe nuk do duhet të jetë për ta.
Aleanca për Shqiptarët, shpreh zemërim, ende vërehet mllefi ndaj lojërave politike vendore dhe paqartësia ndaj zhvillimeve politike. Më shumë edhe një pozicion jo komod i saj mes të qënurit kundër qeverisë dhe sërish pro saj për shkak të procesit edhe pse në artikulim theksohen integrimet edhe ndër shqiptare edhe të shqiptarëve në Evropë. Por vota pro referendumit s’është as për ata.
Kurse këta të “Besave”, që tashmë janë plot gojë Evropë, harruan se janë të vetmit, që si asnjë parti tjetër shqiptare deri më tani, para një procesi zgjedhor shkuan e u falën në Turqi, tek një lider anti Evropian sidomos ndaj vlerave bazë siç është lira e shprehjes dhe e mendimit, kurse tani thonë se i besojnë Brukselit. Por vota për referendumin s’është as për ta.
Vota pro në referendum është për vetveten, njerëzit, të ardhmen dhe kauzën e shqiptarëve këto 30 vitet e fundit. Partitë në vogëlsinë e tyre të gjitha harrojnë se janë reflektim i aspiratave të votuesve të tyre që me vite kanë qenë pro NATO e BE.
Ishte NATO vetë që për Sopotasit tha se ishin të pafajshëm. Ishte NATO që solli lirinë në Kosovë. Është NATO që aktualisht jep praktikisht mesazhin se shqiptarët janë pjesë vlerave perëndimore. Ishte NATO dhe BE që përfundi konfliktin në Maqedoni. Është BE që sjell shpresë se presionet gjatë rrugës së anëtarësimit do të sjellin jetë më të mirë. Është BE që sjell shpresë për barazi e drejtësi.
Vota pro referendumit është për këto arsye dhe për një tjetër: Për të dënuar gjithë klasën politike për krejt vonesat, paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë ndër vite!
Është një vendim mes pro kauzës, dhe jo pro elitës politike, që do të duket se do të realizojë këtë kauzë. Prandaj bëni mirë dallimin se pse do votoni. Vota nuk i shkon partive kësaj here.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)StrugaLajm

In : Aktuale

Loading...
loading...