GJERMANIA lehtëson akoma kushtet e punës për Maqedoninë,Shqipërinë,Kosovën…

Gjermania do të vazhdojë të joshë punëtorët nga Ballkani me lehtësimin e mëtejshëm të kushteve për migrim dhe punësim. Me miliona punëtorë që mungojnë në tregun gjerman të punës, pritet të plotësohen pjesërisht edhe me punëtorët nga rajoni dhe Turqia

Fisnik PASHOLLI

Mungesa e fuqisë punëtore në tregun gjerman të punës nuk është ndonjë fenomen i ri. Por kohët e fundit ka një nevojë akute në aeroportet gjermane në mbarë vendin për fuqi punëtore me fillimin e sezonit të pushimeve. Qeveria ka premtuar se me shpejtësi do të lehtësojë lëshimin e lejeve të punës, për shkak se përgjatë pandemisë, aeroportet dhe avio-kompanitë kanë lëshuar personelin nga puna, ndërsa tani ju mungojnë mbi 7000 punëtorë. Tani sytë janë kthyer nga Turqia dhe Ballkani perëndimor.

Punëtorë kërkohen edhe në sektorin e hotelerisë, ku gastronomia kërkon nga autoritetet të lehtësojë ardhjen e personelit nga Ballkani Perëndimor.

Ligji relativisht i ri i imigracionit i Gjermanisë lejon këdo që gjen një punëdhënës të punojë, me kusht që të jetë i aftësuar në profesione të ndryshme. Ato mund të jenë kontabilistë ose shoferë, por me rëndësi është që të jenë të pajisur me dokumentacionin përkatës. Përjashtim bën i ashtuquajturi “rregulli i Ballkanit Perëndimor”, i miratuar në mes të krizës së refugjatëve, kur migrantëve nga Siria dhe Lindja e Largët iu bashkuan masovikisht azilkërkues nga Maqedonia e Veriut, Kosova apo Serbia. Asokohe ishte saktësuar se çdo vit nga 25 mijë persona nga vendet e Ballkanit Perëndimor mund të marrin leje pune në Gjermani, edhe kur bëhet fjalë për punëtorë të pakualifikuar. Mirëpo tani shoqata e hotelerisë Dehog po kërkojnë më shumë punëtorë . “Në vendet e Ballkanit Perëndimor ka shumë fuqi punëtore që do të punonte në hotelet dhe restorantet në Gjermani”, pohon kreu i shoqatës, Gido Çelik.

Ngjashëm me aeroportet, edhe restorantet fare pak kishin punë gjatë një periudhe të pandemisë dhe mbylljes. Përderisa tani nuk kanë fuqi punëtore, Çelik thotë se rreth 60 për qind e hoteleve dhe restoranteve kërkojnë kamerierë, kuzhinierë dhe shërbyese. Prandaj ai kërkon që qeveria të zgjasë më tej “Rregullin e Ballkanit Perëndimor” , që skadon në fund të vitit 2023 dhe të përshpejtojë dhënien e vizave dhe lejeve të punës. Çelik thotë se pagat në gastronomi po rriten me një përqindje dyshifrore. Megjithatë, edhe inflacioni i muajve të fundit nuk është larg kësaj.

Edhe në vitet e kaluara, e tregut gjerman i punës ishte i pangopur dhe në kërkesë të vazhdueshme për zejtarë të të gjitha llojeve, shoferë, apo personel mjekësor që vijnë masovikisht nga Ballkani. Bile edhe sondazhet e mëparshme të DW, tregojnë se në klinikat dhe shtëpitë e të moshuarve ju paguajnë ndërmjetësve deri në 15 mijë euro secilit për t’u sjellë atyre vetëm një përkujdesës për më të moshuarit.StrugaLajm

Siç shkruan e përjavshmja Cajt, mungesa e fuqisë punëtore është e tillë që nuk mund të plotësohet me masa të shpejta si për shembull sjellja e gastarbajterëve apo punëtorëve nga jashtë në aeroporte me qëllim që të shpëtohen pushimet e gjermanëve. Në tremujorin e parë, ishin bosh afër 1.74 milionë vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë tashmë është nën pesë për qind. Prandaj është iluzore që kjo gropë mund të mbushet vetëm me rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës, megjithëse këto hapa janë të drejta, shkruan Cajt. Duke shtuar se mungesa, do të jetë edhe më e madhe në të ardhmen, dhe nuk do të kufizohet vetëm në veprimtari të caktuara ekonomike.

Sipas vlerësimeve të ekspertëve, mungesa e punëtorëve mund të zhvendoset në tre milionë deri në vitin 2030. Arsyeja, për shkak se i ashtuquajturi brezi i “baby boomer” apo i gjeneratës së lindur pas luftës 1946-1964, kur kishte natalitet të madh që pritet të dalë në pension në periudhën 2025 deri në vitin 2035. Kjo gjeneratë, jo vetëm se nuk do të punojë, por dikush do të duhet edhe të përkujdeset për të, që nënkupton një mungesë edhe më të madhe të fuqisë punëtore. Së fundmi, ministri i Punës Hubertus Heil shpalli një “ligj modern të imigracionit” për në vjeshtë. Sipas të gjithë gjasave, ardhja në Gjermani do të lehtësohet edhe më tej. Sipas të dhënave të Shërbimit Federal Gjerman të Punësimit, në mars të këtij viti, 50 mijë qytetarë të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë punuar në sektorin e mjekësisë dhe infermierisë në Gjermani. Kjo është rreth 6500 njerëz më shumë se një vit më parë. Analistët që njohin gjendjen nga brenda në kë të sektor, pohojnë se numri është edhe më i madh, dhe se më shumë se 10.000 kujdestarë vijnë për çdo vit nga Ballkani. Infermierët ballkanikë janë të kërkuar, dhe ata duhet të “mbulojnë gropën” në Gjermani, ku sipas vlerësimeve më të këqija, në pesë vjet do të ketë mungesë prej 200 mijë kujdestarësh, apo përkujdesës për të moshuarit. Mirëpo nga ana tjetër, shtrohet pyetja se sa njerëz kanë mbetur në Ballkan, të cilët janë gati të shkojnë në Gjermani. Gjithnjë e më shumë po përflitet se edhe tregu i punës ballkanas, është “tharë” dhe se rajoni kërcënohet me një katastrofë demografike.

ÇKA ËSHTË RREGULLORJA PËR BALLKANIN PERËNDIMOR?

Më 1 janar 2021 në Gjermani ka hyrë në fuqi rregullorja vijuese e të ashtuquajturës “Rregullore për Ballkanin Perëndimor ( 26 paragrafi 2 Urdhëresa për Punësim). Përmes kësaj rregulloreje Qeveria Federale shtetasve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u ka krijuar qasje të privilegjuar në tregun gjerman të punës. Kjo vazhdon të mbetet e vlefshme për çdo lloj vendi pune – pavarësisht kualifikimit të njohur. Për udhëtimet hyrëse drejt Gjermanisë ju duhet një të keni një ofertë detyruese pune nga një punëdhënës në Gjermani dhe një vizë nacionale. Për vendin e lirë të punës nuk duhet të ketë në dispozicion kandidatë të privilegjuar. Kandidatët e privilegjuar janë punëkërkuesit gjermanë, ose shtetasit e BE-së. Për më tepër, paga dhe kushtet e punësimit nuk duhet të jenë më pak të favorshme, se ato tek një punëdhënës tjetër i krahasueshëm në Gjermani. (koha.mk)Share

In : Aktuale

Loading...
loading...