Ismaili akuza Antikorrupsionit: Presion për shumicën qeveritare

Ish-ministri Ismaili aludon për presion të ushtruar në momentet kur deputetët e Alternativës që do të ndikojnë në krijimin e shumicës së re parlamentare, po edhe në prag të bisedimeve të kryeministrit Zaev me kreun e Alternativës, Afrim Gashi

StrugaLajm

StrugaLajm

Shkup, 19 nëntor – Vendimi i Antikorrupsionit për ndjekje penale të deputetit të Alternativës Hysni Ismaili në kohën kur ishte ministër i Kulturës sipas tij bëhet për motive të dyshimta. Në një deklaratë për mediat Ismaili aludon për presion të ushtruar në momentet kur deputetët e Alternativës që do të ndikojnë në krijimin e shumicës së re parlamentare, po edhe në prag të bisedimeve të kryeministrit Zaev me kreun e Alternativës Afrim Gashi. Dy ditë më parë Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit kërkoi që Prokuroria publike të ndjekë penalisht Ismailin për çështjen e 100 vendimeve (marrëveshje dhe aneks marrëveshje) të nënshkruara prej tij më 24 korrik të vitit 2020, në një vlerë prej 33 milionë denarë. Të miratuara prej tij në periudhën paszgjedhore, kur ende nuk ishte formuar Qeveria e re, por edhe kur me rebalancimin e buxhetit Ministria e Kulturës në atë periudhë të vitit kishte në dispozicion 60 milionë denarë më pak për realizimin e projekteve me interes nacional në kulturë.

“Vetë inicimi në këtë moment i veprimeve të tilla nga një institucion shtetëror flet mjaftueshëm për vetë veprimin. Lëvizje të ngjashme ka edhe të aktorëve të tjerë në këtë vend në këtë kohë të pasigurisë politike në vend. E kam thënë dhe do ta përsëris. Së pari buxheti i shtetit nuk është dëmtuar, sepse fondet nuk janë lëvruar. Së dyti, nënshkrimi im në dokumente qëndron si i katërti apo i pesti me radhë, pas atyre që përgatitën, hartuan, kontrolluan.., drejtuesit e departamenteve. Së treti, në kohën e pandemisë kur nuk realizoheshin projekte të shumta nga sektorët tjerë, fondet u ridedikuan nga një zë në tjetrin, gjë që lejohet me ligj”, është arsyetuar Ismaili.

Çështja Ismaili ka nisur pas hetimeve të brendshme të Ministrisë së Kulturës nga pasardhësja e tij, Irena Stefovska, e cila kërkoi dhe mori miratimin e qeverisë për ngrirjen e fondeve për projektet e dyshuara. Në vitin 2020 komisionet e Ministrisë së Kulturës miratuan fondin prej 196 milionë denarë financimin e 684 projekteve në kulturë, duke tejkaluar buxhetin e parashikuar prej 159 milionë denarë, i zvogëluar në 136 milionë denarë për shkak të borxheve nga viti 2019. Pas disa muajsh ish ministri, ka miratuar ankesat duke nënshkruar 100 marrëveshje dhe aneks marrëveshje për projektet me fondet e cunguara. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...