Katica që rrënoi shpresën për drejtësi

Përgatitja dhe aftësitë e saja profesionale shpeshherë ishin vënë në diskutim. Por, meqë ajo doli si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, e cila u organizua nga ndërkombëtarët – opinioni i gjerë qëndroi i qetë derisa Katica Janeva nuk u zu me “pelë për dore” në rastin “Zhvatja”. Zanafilla e kësaj lënde rrënjët i ka në rastin “Perandoria”, ku të akuzuar janë Jordan Kamçev, Sasho Mijallkov dhe afaristë të tjerë

Omer XHAFERI

Shkup, 1 janar – Gjoko Popovski, ish-ndihmës ministër i policisë dhe afaristi Sead Koçan, janë të vetmit persona të akuzuar dhe dënuar nga Prokuroria Speciale Publike, që për momentin e vuajnë dënimin me burg. Ish-ministri Popovski, i dënuar në rastin “Treqind”, vuan dënim prej 9 viteve burg, përderisa Koçani, i akuzuar kryesor në rastin “Trust”, e vuan dënimin prej 4 vite e 8 muaj burg.

Të gjithë të dyshuarit dhe të akuzuarit tjerë nga PSP-ja gjenden në liri. Ditë më parë, Gjykata e Apelit në Shkup e shfuqizoi aktgjykim e shkallës së parë kundër Sasho Mijallkovit, Menduh Thaçit, Bedredin Ibrahimit dhe të tjerëve të akuzuar në rastin “Titanik 2”. Gjatë punës trevjeçare të PSP-së, e cila defakto pushoi së punuari me arrestimin e prokurores speciale Katica Janeva, e dyshuar e dytë në rastin “Zhvatja”, zhvilloi qindra procedura hetimore, intervistoi me dhjetëra të dyshuar dhe mori në pyetje qindra dëshmitarë. Megjithatë, fundi i saj ishte dëshpërues për opinionin më të gjerë vendas dhe atë ndërkombëtar. Përpos lëndëve “Treqind” dhe “Trust”, PSP arriti të vërtetojë fajësinë edhe ndaj të akuzuarve në rastin “Tank”, për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski (në arrati) dhe ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, e cila nuk e vuan dënim me burg për shkak se fjalën e fundit nuk e ka thënë Gjykata Supreme.

Po ashtu, ajo e fitoi rastin “Tifani” ndaj të akuzuarës – gazetares Ivona Talevska, për evazion fiskal, me çka u konfiskuan mbi 1 milionë denarë. Por, ajo edhe më tej nuk i përmbushi parashikimet e opinionit. Me apo paqëllim, mbi 20 lëndë gjyqësorë të PSP-së, të cilat filluan të procedohen nga viti 2016 e këndej, u “humbën” në labirintet e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut. Përderisa të dyshuarit dhe të akuzuarit në këto lëndë gjyqësore, përfshi edhe një pjesë të opinionit të ekspertëve, thonë se PSP plotësisht i ka huq qëllimet me ngritjen e këtyre aktakuzave, dhe se të njëjtat në një procedurë para Gjykatës së Strasburgut, do të bien.

Nga ana tjetër, prokurorët special, tashmë prokurorë të rëndomtë – fajin për zvarritjen edhe mos efikasitetin e lëndëve të tyre e hedhin te gjykatat e vendit.StrugaLajm

“PERANDORIA” QË VARROSI PSP-në
Përgatitja dhe aftësitë e saja profesionale shpeshherë ishin vënë në diskutim. Por, meqë ajo doli si rezultat i Marrëveshjes së Përzhinës, e cila u organizua nga ndërkombëtarët – opinioni i gjerë qëndroi i qetë derisa Katica Janeva nuk u zu me “pelë për dore” në rastin “Zhvatja”. Zanafilla e kësaj lënde rrënjët i ka në rastin “Perandoria”, ku të akuzuar janë Jordan Kamçev, Sasho Mijallkov dhe afaristë të tjerë. Për ta realizuar skenarin e saj, i cili më pas do të rezultojë me prishjen e Prokurorisë Speciale Publike, Janeva kishte bashkëpunuar me Bojan Jovanovski, i njohur si Boki 13. Prokurorja nga Gjevgjelia, e “goditur” nga dallgët e famës dhe besueshmërinë e lartë të publikut dhe pjesës dërmuese të politikanëve, kishte menduar se do të kalojë lehtë në procesin e “zhvatjes” së Kamçevit, afaristit kontrovers, familja e të cilit nga themelimi i shtetit e këndej ka lidhje të ngushtë me çdo garniturë politike, e cila vjen në pushtet. Zbulimi i gjithë kësaj skeme ndodhi më 15 korrik, kur Boki 13 u arrestua në vendkalimin kufitar Tabanoc, në tentimin e tij për ikur në Serbi. Po të njëjtën ditë, Janeva, me arsyetim se dëshiron të mos zvarritet procedura për miratimin e Ligjit të ri për prokurorinë publike, për befasi të të gjithëve, dha dorëheqje nga posti i kryeprokurores në PSP. Hetimet ndaj saj u zhvilluan për gati një muaj dhe ajo arrestua më 21 gusht. Pas qëndrimit njëmujor në paraburgim, ajo u lirua në arrest shtëpiak. Ky vendim nuk prit mirë nga prokurorja Villma Ruskoska, e cila përmes një sms-porosie, i kishte kërcënuar gjykatësit e Gjykatës së Apelit në Shkup, të cilët kanë votuar “për” që Janeva të shkojë në arrest shtëpiak. Procesi gjyqësor kundër saj, Boki 13 dhe Zoran Milevski-Kiçeec, filloi nëntor. Dy të akuzuarit e parë i refuzuan akuzat e Prokurorisë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërkaq Kiçeeci, pranoi se ka “pranuar dhuratë për ndikim të jashtëligjshëm” dhe u dënua me tre vite burg.

“TARGET-FORTESA” PA EPLIOG
Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovksa, Toni Jakimovski dhe disa pjesëtarë tjerë të ish-Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga PSP akuzohen se janë “koka” e procesit të kundërligjshëm të përgjimeve. Kjo lëndë është titulluar si “Target-Fortesa”, gjegjësisht lënda kryesore për të cilën edhe u themelua PSP, pra për të vërtetuar se kush përgjoi ilegalisht nga viti 2008 deri në viti 2015 – strukturat kryesore të shërbimit sekret, apo ndonjë organizatë e jashtme. Edhe pse i filluar në vitin 2016, deri më tash në këtë lëndë janë prezantuar pesë dëshmitarë. Pavarësisht se shumica prej tyre, përfshi edhe rrëfimin e ish-drejtorit të DSK-së, Zoran Verushevski, konfirmonin se përgjimet janë bërë nga Drejtoria e Pestë e MPB-së, një epilog përfundimtar për këtë lëndë nuk është afër. Për zbardhjen e së vërtetës, PSP në Gjykatën Penale të Shkupit, ka propozuar mbi 200 dëshmitarë. Pra, nëse për një dëshmitar duhen minimum dy seanca gjyqësore, por edhe më shumë, atëherë e vërteta për përgjimet në vendin tonë as që është afër. Një fat të tillë kanë edhe dhjetëra lëndë tjerat të PSP-së, të cilët nga fillimi i tyre vetëm zvarriten, prolongohen dhe nisin të procedohen nga e para. Përfshirja e Janevës në afera korruptive, zvarritja e pafundme e gjykimeve dhe shfuqizim i aktgjykimeve të shkallës së parë nga gjykatat më të lartë në Maqedoni, vlerësohen të jenë arsye e mjaftueshme që këto lëndë të mbyllen. Megjithatë, kryeprokurori Lubomir Joveski, në fjalimin e fundvitit tha se ka pasur rrezik që lëndët e PSP-së të dështojnë dhe për këtë arsye, ata kanë miratuar vendim për marrjen e këtyre lëndëve.
“Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut nga PSP mori tre lëndë, për të cilat është shqiptuar aktgjykim i plotfuqishëm, dy lëndë për të cilën është shqiptuar aktgjykim i shkallës së parë, 20 lëndë të cilët janë në fazë të gjykimit, 19 lëndë për të cilat zhvillohen hetime, gjashtë lëndë të cilët janë në procedurë para hetimore, 80 lëndë tjera të cilët janë në procedura parahetimore dhe një pjesë me kërkesë të vendosjes së kompetencës, 38 lëndë tjera për të cilët po zhvillohen hetime financiare dhe tre lëndë me mjete të çrregullta juridike”, tha Joveski.

SOPOTASIT TË LIRË, TË LIRË U LANË EDHE FAJTORËT

Përveç përfaqësimit të lëndëve që burojnë nga “bombat”, PSP e mori përsipër edhe rastin e “Sopotit”. Drejtësia e shumëpritur për Sulejman Sulejmanin – bacën Sulë dhe sopotasve të tjerë, arriti. Pafajësia e tyre u vërtetua. Por, PSP nuk ngriti procedurë hetimore për montuesit e vërtetë të “Sopotit”, të cilët fatkeqësisht – ende punojnë dhe veprojnë brenda strukturave të Qeverisë dhe sigurisë së Maqedonisë së Veriut, me arsyetim se vepra penale është “vjetruar”. (koha.mk)

In : Aktuale

Loading...
loading...