kujtesë
Sot është 28 tetor, 74 vjet më parë në fshatin Ladorisht, nazi-fashistët gjerman në ditët e fundit të tërheqjes përfundimtare nga rrethi i Strugës, tërë dufin e hakmarrjes do ta shfryjnë mbi fshatin Ladorisht. Në këtë datë Ladorishti, do përjetojë ditën e përgjakjes së madhe të paparë ndonjëherë në këto anë. Krime lufte, djegie dhe kasaphanë do të kryejnë nazistët gjermanë atë ditë vjeshte mbi Ladorisht. Përndryshe kjo vepër makabre njihet me emrin e vërtetë si Masakra e Ladorishtit.
Vitet e dhimbjes së madhe vështirë kalonin…Sa herë vinte fund tetori në varrezat e viktimave të Vakçares vendoseshin kurora lulesh… Rreze drite po shfaqeshin në horizont dhe kështu shqiptarët e kësaj ane po organizoheshin.
Duke kërkuar lirinë e munguar kombëtare ata do të organizojnë përvjetorë të ngjarjeve të historisë së mohuar kombëtare.
Kësisoj ,veprimtarët atdhetarë të Ladorishtit dhe më gjerë për herë të parë më 28 tetor 1990, në përvjetorin e rënies së viktimave të Vakçares, do të manifestojnë një përkujtim dhe homazh ndryshe, jashtë diktatit të pushtetit dhe me flamur kombëtar. Këtë vit, po thyhesh tabuja, po manifestohej me flamur kombëtar. Pikërisht sot kjo datë, përkon me 28 vjetorin e organizimit të parë lirë të homazheve mbi viktimat e terrorit nazist në Vakçare, jashtë diktatit të pushtetit jugosllav.
Më 28 tetor të vitit 1990, me organizimin e veprimtarëve atdhetarë të rrethit, Lidhjes së Luftëtarëve të fshatit Ladorisht, (të pavarur nga ndikimi i Lidhjes së Luftëtarëve të rrethit të Strugës dhe Lidhjes Komuniste),rinisë, banorëve të këtij fshati, mësuesve atdhetarë dhe nxënësve të shkollës fillore të fshatit Ladorishtit, do të mbahen homazhe në përkujtim të përvjetorit të 46 – të Masakrës së Ladorishtit, me flamur kombëtar shqiptar.
Këtë radhë, pas gjysmë shekulli flamuri ynë me shqiponjën dykrenare do të valonte i lirë.
Ky organizim jashtë ndikimit të pushtetit, komunist jugosllav, por i mbështetur nga vullneti dhe vendosmëria e veprimtarëve atdhetarë, rinisë dhe e veteranëve të Luftës Antifashiste, do të manifestohej me përhapjen e ndjenjave atdhetare në mesin e banorëve të Ladorishtit.
Ky ishte një homazh i veçantë në Vakçare, ndryshe nga herët e tjera, kur nga ana e pushtetit jugosllav bëheshin homazhe “sa për ta kaluar radhën” nën hijen e flamurit jugosllav.
Ishin ditët e ndryshimeve të mëdha që do të paraprijnë rrëzimin e sistemit titist jugosllav por për mungesë të vigjilencës sonë dhe tradhëtisë së madhe të drejtuesve të subjekteve politike shqiptare, sistemi i vjetër do të zëvendësohej nga pasuesit e titizmit, ku me rendin e ri do instsalohej demonkratura e re sllave mbi shqiptarët e trevave të Ilirisë së lashtë.
Përvjetorët e tjerë dhe homazhe pas këtij viti do të organizohen me madhështinë e flamurit kombëtar shqiptar.
Lavdi!
Medai Shaholli