Marrëveshja e horrit


Kjo verë e nxehtë që vazhdon të shkrijë çdo lumturi të njerëzve apo të drejtë të tyre, nuk vjen nga ndonjë front afrikan, jo, është shumë më e afërt se kontinenti i savanave, por nga ndërtesa e Qeverisë që mban brenda një parti të cilës i vjen era faj, dështim dhe kapitullim!

Nga Dr. Arben TARAVARI

Duket sikur stina e verës për shkak të natyrës dëfruese që ka, bën që edhe politika, e sidomos ajo ekzekutive, të tolerohet më shumë, t’i harrohen fajet disi, gati-gati të lejohet të bëj pushime nga përgjegjësia. Kjo është njësoj e barabartë sikur personat që janë nën akuza të ndryshme, gjatë verës të shpalleshin të lirë nga akuzat sepse vera është për pushime!

Kjo është njësoj e barabartë sikur ai burri i ndershëm që endet në pikë të verës nëpër zyra partie për të gjetur punë, t’a fali politikën totalitare të BDI-së, sepse tani është verë dhe është e natyrshme që edhe bdistat ekzekutues të shkojnë të shtrijnë eshtrat në plazhe dhe detëra të dynjasë! Kjo është njësoj e barabartë sikur ajo gruaja me kancer që në temperaturën 39 gradë celsius të spitali të kalojë ditët e fundit të jetës në agoninë e të nxehtit afrikan sepse nuk punon klima e spitaleve tona gërmadha, ndërkohë që drejtori dhe si vëllezërit e tij funksionarë kanë shkuar ke pushime se nuk e përballojnë të nxehtin shkupjan!

Edhe më…edhe më…edhe më!

A është kjo një verë normale?!

A është ky një shtet normal?!StrugaLajm

A është humane dhe ligjore ajo që ndodh sot me popujt e Maqedonisë së Veriut?! Jo! Negacioni më i zakonshëm dhe më zbutës për këto pyetje mbetet “JO” pasi në fakt vendi është në prag të një shpërthimi masiv.

Gjithë kjo ngarkesë e jashtëzakonshme e akumuluar çdo ditë e orë është material për një bombë bërthamore që nëse do vazhdojë ende paraliza e Qeverisë, do të shpërthejë duke mos kursyer asnjë nga kokat e saj! Për të gjithë shtetin dihet se ngjarja më e rëndësishme ka qenë Marrëveshja e Ohrit, por sot pas 18 vjetësh meriton të quhet “MARRËVESHJA E HORRIT”! Të gjitha këto pasoja janë si rezultat i një partie e cila kohën e sallës së Gjyqit po e kalon ende në Qeveri! Ali Ahmetit populli i besoi aq shumë dikur, mirëpo tradhtia është e urryer, sepse ndodh pikërisht nga njerëzit që i ke besuar!

Nëse dikur një popull i tërë e mbronte Ali Ahmetin nga policia, sot është kjo e fundit që e mbron Ali Ahmetin nga populli-do të shprehej një nga komentuesit e shumtë që ndjehen të tradhtuar, nëpërkëmbur, tallur, grabitur, masakruar nga aradhet e BDI-së dhe krerëve të saj! Është ky grupacion i dyshuar çdo ditë prej shumë kohësh si mafioz, të cilin populli e ka braktisur, por Qeveria ende e mban…

Me mbajtjen e saj në Qeveri zarari sa vjen dhe bëhet më i madh, urrejtja e popullit ndaj kësaj partie tashmë ka marrë përmasa epike e Zoti na ruajt kanunore! E ditur botërisht si bashkëpunëtore e një regjimi që vriste e dënonte me burg shqiptarë të pafajshëm, kjo parti është në shënjestër të mllefit popullor. Avazin e ka të njëjtë sepse “BDI-ja Grueskin e ndërron, por zakonin s’e harron”…dhe ndaj kjo parti vazhdon përpëlitet me stilin e vjetër duke bërë pazare me të drejtat dhe pasuritë e popullit!

Me pak fjalë, BDI-ja po fundoset njësoj si Titaniku dhe aq sa është e sigurt që “i mbyturi të mbyt”, po aq e sigurt do të jetë që nëse LSDM-ja vazhdon të mbrojë me çdo kusht BDI-në, do të humbasë pushtetin patjetër! Kjo verë e nxehtë që vazhdon të shkrijë çdo lumturi të njerëzve apo të drejtë të tyre, nuk vjen nga ndonjë front afrikan, jo, është shumë më e afërt se kontinenti i savanave, por nga ndërtesa e Qeverisë që mban brenda një parti të cilës i vjen era faj, dështim dhe kapitullim!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

In : Aktuale

Loading...
loading...