”Mustafa Celebiu” dhe Myftinia e Strugës janë gati, pritet përurimi!
Pas finalizimit të punimeve për zgjerimin dhe konservimin e xhamisë “Mustafa Çelebiu”, një nga objektet sakrale nga më të vjetra të besimit islam në qytetin e Strugës si dhe ndërtimit të selisë së Muftinisë falë ndihmës së Turqisë, tashmë ka mbetur të bëhet vetëm ceremonia e përurimit, shkruan gazeta KOHA. Si xhamia “Mustafa Çelebiu” ashtu dhe godina e Muftinisë tashmë janë funksionale dhe po kryejnë funksionin e tyre primar për besimtarët, por dhe për administratën e Muftinisë, e cila prej disa kohësh është vendosur në objektin e ri, një nga objektet administrative më të kompletuara në rajonin e Strugës.Myftiu i Strugës, Salim Sulejmani për KOHA potencon se si në xhami ashtu dhe në godinën e Muftinisë janë finalizuar punimet dhe pritet të bëhet përurimi i këtyre investimeve në koordinim me Riasetin dhe Agjensionin TIKA të Turqisë. “Duke qenë se investimi i xhamisë dhe godinës së Muftinisë është një donacion nga TIKA e Turqisë dhe si i tillë përurimi i këtij objekti do ndodhë në bashkëpunim ndërmjet Riasetit dhe këtij organizmi në mënyrë që t’i gëzohemi kësaj bukuri të gjithë së bashku”, përfundon ai.Duke ditur rëndësinë dhe historikun e kësaj xhamie dhe identifikimin e saj me Strugën, ku bie në sy elementi kombëtar dhe ai fetar, finalizimi i këtij projekti merr një rëndësi të veçantë për këtë hapësirë. Ajo që bien në sy tashmë pas ndërhyrjes është fakti që Struga fitoi një xhami mbresëlënëse dhe dinjitoze në respekt të arkitekturës burimore. Ndërhyrja, që u bë në Xhaminë “Mustafa Çelebiu” gjatë verës së vitit 2012, me qëllim zgjerimin e këtij objekti fetar, ngjalli debate të shumta dhe provokoi një serë ngjarjesh të tjera të karakterit politik, fetar, por edhe diplomatik. Një nga objektet e trashëgimisë kulturore, por edhe fetare që pret ndërhyrjen është Hamami i xhamisë Mustafa Çelebiu. Në Strugë dhe rrethina janë evidentuar 37 xhami të shpërndara pothuajse në të gjitha lokalitetet e Strugës, nga të cilat vetëm në 3 prej tyre nuk ka të angazhuar imam.(KOHA/Strugalajm.com)