Prodhimet organike, ardhmëria e bujqësisë

Vetëm 0.5 për qind e tokave bujqësore në Maqedoni janë të mbjella me prodhime organike. Kjo paraqet një sasi shumë të vogël në raport me mundësitë dhe kërkesat e tregut, sidomos atij të huaj për një ushqim të shëndoshë organik, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Maqedonisë, në shtet janë të regjistruar vetëm 533 fermerë të prodhimtarisë organike, që më së shumti kultivojnë kultura të perimeve dhe të drithërave në një tokë prej afër 3200 hektarë.

Për dallim prej Maqedonisë, që nuk ka asnjë për qind të tokës bujqësore të mbjellë me prodhimtari organike, në Slloveni gati 2.5 për qind e të mbjellave janë me prodhime organike. Vend lider për prodhimin e ushqimit organik është Danimarka, ku mbi 9 për qind e tokës mbillet me ushqim organik. Ky shtet, për çdo vjet ndan nga 50 milionë euro që të stimulojë fermerët të kalojnë nga prodhimtaria tradicionale në atë organike. Nga ana tjetër, konsumuesi më i madh i ushqimit organik në botë është Gjermania, me një treg të vlefshëm 8 miliardë euro.

Agronomët thonë se ardhmëria e prodhimtarisë bujqësore është te prodhimtaria organike që se vjen e më shumë do të kërkohet në treg, për çka Maqedonia ka kushte ideale. Prodhuesit organik thonë se prodhimet e tilla kanë një treg të garantuar, por me kusht që fermerët të respektojnë rregullat rigoroze të kultivimit dhe të kenë durim që pas disa vitesh të presin fitimin.

Në ndërkohë, prodhuesit e suksesshëm të ushqimit organik në Maqedoni thonë se edhe në këtë degë të re bujqësore, mund të arrihet sukses nëse orientohet në prodhimin cilësor ndaj tregut të jashtëm që duhet së paku të trefishohet, duke iu afruar mesatares sllovene prej 2.5 për qind hektarë.

“Ardhmëria e bujqësisë në Maqedoni është orientimi ndaj cilësisë së lartë dhe prodhimit të specializuar dhe jo ndaj kuantitetit. Evropa kërkon prodhime organike dhe të shëndosha që mund të prodhohen tek ne. Me fjalë të tjera, prodhimtaria organike mund të jetë ardhmëria jonë nëse dëshirojmë që nga bujqësia të krijojmë një biznes me fitim të lartë si dhe diçka dalluese nga shtetet e tjera.”, thotë për KOHA, Suzana Dimitrievska nga Sveti Nikola që eksporton groshën e saj organike në Zvicër. Sipas saj, në vitet e fundit tregu i prodhimeve organike është rritur në mbi 90 miliardë euro, që kryesisht furnizohet nga Evropa Lindore dhe juglindore. Kjo duhet të paraqesë një stimulim edhe për prodhuesit vendor që të orientohen në prodhimtarinë organike, për shkak se kanë plasman të sigurt të prodhimeve të tyre.StrugaLajm

Probleme e tjera të prodhimtarisë organike në Maqedoni, janë edhe fakti se një ushqim i tillë ka afat të shkurtër të zgjatjes ndërsa nuk ekziston obligim ligjor për përpunimin e prodhimtarisë organike në prodhim të konservuar apo të tharë. Agronomët thonë se ardhmëria e prodhimtarisë bujqësore është te prodhimtaria organike që sa vjen e më shumë do të kërkohet në treg për çka Maqedonia ka kushte ideale.

“Tregu i ushqimeve organike është i garantuar, ndërsa një prodhimtari e tillë ka perspektivë, por megjithatë prodhuesit nevojitet të jenë mjaft të disiplinuar dhe duhet t’u përmbahen të gjithë rregullave strikte të një prodhimtarie të tillë, duke filluar nga procedurat e caktuara për certifikimin e tokës, organizim mjaft specifik të punë duke filluar prej blerjes së rasatit, kultivimit e kështu me radhë, ku nuk guxohet prej fillimi deri në fund të bëhet as lëshimi më i vogël që do të shkel standardet e prodhimtarisë organike”, thonë agronomët. Gjithashtu, prodhuesit organik duhet të kenë më shumë durim lidhur me fitimin që nuk mund të vijë menjëherë, por pas dy apo tre viteve. Gjithashtu eksporti i prodhimeve organike kërkon procedura të ndërlikuara dhe që kushtojnë, por megjithatë për shkak të plasmanit të sigurt të prodhimeve organike ia vlen të ndërmerret një hap i tillë i orientimit në prodhime bujqësore që kanë shitje të sigurt jashtë shtetit.

Në ndërkohë, në vitet e kaluara në Maqedoni janë kultivuar në mënyrë aromatike dhe bimë aromatike dhe shëruese, pemë, perime, drithëra, lopë, dhen, dhi dhe bletë. Ndryshe, sipas Ligjit për prodhimtari organike në Republikën e Maqedonisë për një hapësirë konvencionale që të bëhet organike nevojiten 2-3 vite. Dy vite janë të nevojshme për kulturat njëvjeçare, ndërsa tre për shumëvjeçaret, siç janë vreshtat dhe pemëtaria. Gjatë kësaj periudhe kohore duhet të jetë e pastruar toka nga helmet e shkaktuara nga prodhimtaria konvencionale. Qëllimi kryesor i prodhimtarisë organike është ruajtja e mjedisit, pjelloria e tokës dhe ruajtja e konsumatorëve nga efektet e ndryshme që vijnë nga pesticidet në prodhimtarinë intensive. Arritja e gjithë kësaj që përmendëm më lart, mund të arrihet në qoftë se përmbushen disa parakushte që kërkohen, duke filluar nga parakushti i parë që është ngastra apo vendi ku kultivohet produkti, i cili duhet të jetë larg objekteve industriale, larg rrugëve që ka qarkullim të madh të makinave, gjithashtu duhet të ketë ujëra nëntokësore të cilat duhen të jenë të pastra etj.

In : Aktuale

Loading...
loading...