Ministria e Arsimit nuk sqaron përse nuk i jep përgjigje pozitive kërkesave për punësim të pedagogëve dhe psikologëve shqiptarë në shkollat fillore në gjuhën shqipe në Strugë. Nga Ministria në një deklaratë me shkrim theksojnë se ata vazhdimisht punojnë në forcimin e shërbimeve profesionale në shkolla sipas nevojave dhe mundësive reale.
Në vitin 2013 janë angazhuar 70 pedagogë dhe psikologë në shkollat fillore dhe të mesme në Republikën e Maqedonisë, tre prej të cilave janë miratuar për komunën e Strugës, por nga të tre vetëm një u miratua nga komuna. Ndërsa në vitin 2016, u punësuan gjithsej 74 defektologë në shkollat fillore në Maqedoni, nga të cilët 2 u miratuan në komunën e Strugës – thuhet nga Ministria e Arsimit.
Siç njoftoi Alsat psikologë nuk ka në shkollat më të mëdha në fshatrat Veleshtë, Radolishtë, Dellogozdë, Tatesh dhe Llabunishtë. Për shkak të kësaj, shumë shpesh punën e psikologut e kryhen pedagogu. Në shkollën më të madhe “Vëllezërit Milladinovci” nuk ka pedagog në gjuhën shqipe, kështu që këtë funksion me vite të tëra e kryen pedagogu maqedonas.
Nga komuna e Strugës thonë se presin që Ministria të përgjigjet pozitivisht ndaj kërkesave që janë paraqitur disa muaj më parë.