Aleanca për Shqiptarët (ASH) konsideron se mendimi i Komisionit të Venedikut për Ligjin e gjuhëve është subjektiv dhe jo transparent i bazuar kryesisht në dyshimet e shprehura gjatë zyrtarëve të intervistuar lista e të cilëve nuk gjendet askund, qëndrimet e të cilëve lënë vend për dyshime se janë të motivuara politikisht.
“Pa pasur të dhëna empirike mendimi i Komisionit është irelevant, pa harruar edhe faktin se mendimi nuk është obligativ por vetëm këshillues. Duke marrë parasysh se çështja e përdorimit të gjuhëve është çështje sovrane e vendeve anëtare të BE-së, gjë e cila konfirmohet edhe nga vetë Komisioni, si dhe duke pasur parasysh se Konventa Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale dhe Minoritet nuk është e ratifikuar nga kuvendi i RMV-së konkludojmë se vlerësimi i ligjit nga këndvështrimi i mbrojtjes së të drejtave të pakicave kombëtare është i gabuar dhe i papranueshëm duke i dhënë theks të veçantë faktit se shqiptarët në Maqedoni nuk janë pakicë”, deklaroi deputeti i ASH-së, Syrija Rashidi në takimin me gazetar në Parlament, raporton KOHA.
Ai rikujton se, dygjuhësia në procedurat gjyqësore, komunikimi i brendshëm dhe ndërinstitucional, sanksionet monetare dhe gatishmëria ekonomike e shtetit për të përballuar obligimet financiare të dala nga ligji janë çështje të vullnetit politik të brendshëm dhe nuk kanë të bëjnë fare me standardet evropiane, apo shkelje të tyre.
“Duhet theksuar gjithashtu se kryeministri Zaev ka shkelur marrëveshjen politike për miratimin e ligjit për gjuhët duke kërkuar opinion për pajtueshmërinë e tij me standardet evropiane nga Komisioni i Venedikut për ligjin në tërësi në vend të vetëm nenit 8. Ne si Aleancë vlerësojmë se elementi i vetëm i arsyeshëm i mendimit të Komisionit është nevoja për definimin e qartë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel shtetëror, në mënyrë që të zhduket pasiguria ligjore në lidhje me gjuhët e tjera zyrtare në nivelin lokal. Ndërkaq, Aleanca për Shqiptarët nuk do të lejojë që asnjë arsyetim ta prolongojë zbatimin e ligjit, sepse për këtë ligj është folur më shumë se një dekadë”, theksoi Rashidi.