Zbulime të reja arkeologjike në Strugë në brendësi të liqenit

Arkeologët zbuluan qeramikë, objekte metalike dhe prej guri, si dhe stoli prej bronzi në lokalitetin arkeologjik Vrbnik në Strugë, në kuadër të hulumtimeve nënujore të këtij viti. Këto ishin pjesë e projektit kërkimor “Hulumtime arkeologjike nënujore dhe ndërdisiplinore (dendrokronologjike dhe me radio-karbon) në lokalitetin Vrbnik” si vazhdimësi e fushatave të viteve të fundit.

Me kërkimet në një hapësirë të re në veri të rrjetës ekzistuese, u zbulua material arkeologjik lëvizës që përbëhej nga një sasi e madhe qeramike për kuzhinë dhe depozitim, më rrallë qeramikë për tryezë dhe peshëra qeramike të tezgjahut si pjesë e inventarit shtëpiak që u hulumtua. Përveç qeramikës, u zbuluan edhe disa objekte metalike, sende të përdorimit të përditshëm – thika, brisqe, drapër, objekte prej guri – grirëse dhe fragmente mullinjsh, stoli prej bronzi – hala të dyfishta, disa fragmente të materialit arkeozoologjik. Janë marrë mostra nga shtyllat prej druri për analizë dendrokronologjike, e cila do të kryhet në Universitetin e Bernës, Zvicër – thonë arkeologët.

Në kërkime morën pjesë arkeologët Dr. Aleksandra Papazovska, drejtuesja e projektit, Mr. Valentina Todoroska, Cvetlana Vasilevska, Bojan Taneski, Dr. Ordançe Petrov, Mr. Aleksandra Çevreska dhe Nikola Hadzhi-Nikolov dhe ekipi i zhytësve: Dimitar Stojanoski, Nikola Kukunes, Cvetko Marinoski, Slobodan Rajkovski, Dragi Cvetkovski, Nikola Martinoski, Vladimir Golabovski.

Kërkimet e para arkeologjike nënujore të vendbanimit palafit në Vrbnik filluan në vitin 1998, nën drejtimin e departamentit arkeologjik në Muzeun e Maqedonisë, në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar Dr. Nikola Nezlobinski nga Struga dhe Unionin e Shoqatave të Zhytësve të Republikës së Maqedonisë, nën udhëheqjen e arkeologut Voislav Sanev. Që nga viti 2001, kërkimet me ndërprerje të vogla janë drejtuar nga Muzeu i Strugës, dhe në tre vitet e fundit nga Muzeu Arkeologjik i Shkupit nën udhëheqjen e Mr. Valentina Todoroska, arkeologe nënujore.StrugaLajm

Ekipi falënderon Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për mbështetjen financiare të projektit, Institutin dhe Muzeun e Ohrit dhe Muzeun e Strugës për bashkëpunimin profesional dhe ndihmën në realizimin e projektit, shoqatën “Nurkaç” nga Struga për mbështetjen teknike dhe logjistikën për realizimin e kërkimeve nënujore dhe kampin “Scout”.

In : Aktuale

Loading...
loading...