Partitë kanë ndezur motorrët e ‘shirje-korrjeve’ 20 ditëshe. Gati të gjitha, pa përjashtim, merren me politikë të ‘madhe’, sikur anashkalojnë njeriun e ‘vogël’. Atë që më 15 tetor do t’ua pres teshat…
Këto zgjedhjet që po na trokasin kujtoj se do të mbahen mend për pak gjëra, por që kryeprotagonistë kanë shqiptarët. Në shkallë vendi. Shikonie VMRO-DPMNE-në: edhe ajo e gjeti një Muhamed për të bërë gara nën siglën e ‘partisë më maqedonase’. Sa për t’i thënë LSDM-së se nuk mund të mburret me të ‘vetin’. Që të dyja partitë kanë lëshuar grepin për peshq të mëdhenj! Nikola Gruevski ia ka mësyer Prishtinës, ditën, njësoj si Zoran Zaevi – Tiranës – natën. I pari për t’na folur natën e i dyti – ditën…
Partitë politike shqiptare, pos që vendosin e ri-konsolidojnë krushqitë me dy të mësipërmet – maqedonase, janë hedhur në një garë goxha të çuditshme – për gratë! Njëra i ‘gjuan’ ato – pa shami, me demek t’u bëhet qejfi ndërkombëtarëve, ndërsa tjerat – të gjejnë ndonjë – ‘me shami’ – për t’ua mbyllur gojën – të parëve!
‘Pehlivaniadë, herë feudale, herë komuniste, herë kovertite pluraliste’, do të shkruante i madhi Teki Dervishi.
Dhe, çuditërisht të gjithë, ama të gjithë, përbetohen për ‘fe e atdhe’: në emër të sigurimit të votes, çirren e bërtasin deri n’kupë t’qiellit, etiketojnë e skualifikojnë – pa hesap, qofshin ‘demokratë’, qofshin ‘komunistë’, qofshin ‘fetarë’, qofshin ‘ateistë’.
Sikur harrojnë se është gjynaf, se nuk është e ndershme. Pa çka se është kohë fushate!
Njeriu, qytetari, të cilit i kërkohet a i lypet vota, duhet të bindet për vërtetësinë e ofertës dhe realizimin e saj. Ai pret reflektim të politikanëve për përgjegjshmërinë. Pret llogaridhënie! Njeriu, qytetari votues, do të duhej të ishte ai që ditën e zgjedhjeve do të shqiptonte dënimin për mospërmbushjen e zotimeve dhe, konform kësaj, do të nderonte ata që i dalin zot punës!
Në këso rastesh, do pranoni, nuk do flitnim për blerje votash, por për respektim të standardeve!
Do të flisnim për demokratë e jo për titistë, enveristë, gjylenistë apo erdoganistë!
Dhe, Evropën e shumëdëshiruar do ta kishim më pranë! Si thoni?