Beteja e Selës, Kasamit dhe Thaçit pas 29 tetorit!

Në opinion po qarkullojnë ide nga më të ndryshmet për pjesmarrjen e partive shqiptare në ekzekutiv. Pas zgjedhjeve lokale e sidomos rrethit të dytë zgjedhor ku Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët (ASH) u bashkuan në një koalicion dhe pas ndodhive zgjedhore në Strugë, në opinion shprehen qëndrime të ndryshme të ekspertëve. Disa thonë që këto dy parti duhet ta vazhdojnë koalicionin e tyre dhe së bashku të bëhen pjesë e ekzekutivit e disa të tjerë thonë që ato së bashku duhet të kalojnë në opozitë dhe në pushtet të futet PDSH-ja e Mendih Thaçit, pjesmarrjen e të cilit e ka lënë të hapur edhe vetë kryeministri Zaev, shkruan Zhurnal.

Ish nënkryetari i RDK-së, Artan Dika në një prononcim për Zhurnal ka thënë se këto janë hipoteza pa ndonjë bazë reale.

“PDSH-ja tashmë është parti në shpartallim e sipër dhe nuk mund ta ndalojë teposhtëzën që ka marrë. PPD-ja u shpartallua pikërisht në kohën kur ishte në pushtet dhe kjo gjë nuk e ndihmoi për të mbijetuar. E keqja e kësaj storje është se fundi i PDSH-së është një fund i njollosur me një mbështetje absurde për BDI-në, parti me të cilën shpesh i ka shtyrë shqiptarët në konflikte të rënda. Largimi i PDSH-së nga skena politike është një ngjarje pozitive, duke patur parasysh destruktivitetin dhe negativitetin e vazhdueshëm që i ka sjellë kësaj skene kryetari i saj, i cili e pat kthyer këtë parti në pronë të interesave private”, thotë për Zhurnal, Artan Dika, ish-nënëkryetar i RDK-së.

Nuk besoj, shton ai, se do ketë ndryshime të partive qeverisëse. Kjo qeveri është formuar si qeveri me një lloj baze të gjerë për të rrëzuar VRMO-në dhe Gruevskin nga pushteti dhe jo në bazë të ndonjë parimi ideologjik apo afërsie partish.

“Në këtë kuptim pres që Aleanca të vazhdojë të mbesë pjesë e qeverisë por që në zgjedhjet eventuale parlamentare të dalë në koalicionim me Lëvizjen Besa. Një gjë e tillë është fare normale dhe e pritshme sepse Aleanca e sotme (ish-LR PDSH) në thelb është parti anti-BDI dhe këtu ekziston një synim i përbashkët me Lëvizjen Besa për ta mundur BDI-në në zgjedhje, të cilën ato bashkërisht e konsiderojnë si shkaktare të degradimit të gjendjes dhe të drejtave të shqiptarëve. Këto dy parti në të kaluarën kanë patur problem në gjetjen e formulës së bashkëpunimit, por besoj se rezultati i zgjedhjeve lokale e ka bërë të qartë për të dy palët se bashkëpunimi 50:50 do duhej të ishte baza e raportit të forcave mes tyre në të ardhmen. Lëvizja Besa e ka mbështetur qeverinë aktuale në momentet e formimit të saj me të njejtin qëllim të rrëzimit nga pushteti të VMRO-së dhe Gruevskit dhe do të vazhdojë të jetë në opozitë, duke shkuar në zgjedhje eventuale në koalicion me Aleancën, nisur nga fakti se ky kombinim ju siguron atyre fitore në raport me BDI-në”, potencon Dika.

Sipas tij, Zaevi mund ta përdor PDSH-në si xhoker rezervë për ta ndërruar me Aleancën vetë në rast përplasjesh të rënda mospajtimesh me kërkesat shtesë eventuale që kanë të bëjnë me shqiptarët. StrugaLajm

“Dihet tashmë se BDI dhe PDSH janë parti të dëshmuara si parti me ‘pazarin’ më të ulët dhe me qëllim primar interesat e shefave apo klaneve të tyre dhe jo të popullit shqiptar”, nënvizon Dika.

Nga ana tjetër, analisti politik nga Kosova, Faik Krasniqi thekson se zgjedhjet lokale nuk do të duhej të ishin shkas për mosmarrëveshjet mes partive shqiptare edhe në nivelin qendror.

“Sa më shumë parti dhe deputetë shqiptarë në Qeveri, do të thotë aq më shumë fuqi dhe të drejta për shqiptarët. Partitë shqiptare duhet t’i lënë anash egot dhe interesat personale, por të gjitha partitë shqiptare që janë në opozitë të bëhen pjesë e Qeverisë dhe në përpikmëri ta realizojnë Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshje që shqiptarët në Maqedoni i bën komb shtetformues, krahas sllavomaqedonasve”, thekson për Zhurnal, Krasniqi.

Kjo është mundësia e artë e shqiptarëve në Maqedoni, shton Krasniqi, nëse për një moment politikanët shqiptarë harrojnë interesat personale, interesa që kanë dëmtuar shqiptarët e Maqedonisë, gjë të cilën në mënyrën më të mirën e mundshme e kanë shfrytëzuar politikanë sllavomaqedonas, duke i shtypur në mënyrë sistematike shqiptarët.

In : Aktuale

Loading...
loading...