Ja qytetet e Maqedonisë të cilave u kërcënohet zhdukja

Nëse në vitin 2012 Maqedonia numëronte 2.022.547 banorë, me uljen e vazhdueshme të numrit të tyre, brenda këtij viti llogaritet të ketë 211.538 njerëz më pak, ose e shprehur ndryshe – numri i përgjithshëm i popullsisë të jetë 1.596.000 banorë. Kjo shpjegohet me shkallën e reduktimit të nxënësve të shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm prej 2.5 për qind çdo vit. Situata alarmante me uljen e vazhdueshme të numrit të nxënësve ka kulmuar vitin e kaluar, ku për herë të parë shënohet rritja negative e popullsisë me 601 njerëz më pak

Evis HALILI

Rritja natyrore e popullsisë gjendet në kufijtë më dramatikë të mundshëm. Nëse në vitin 2012 Maqedonia numëronte 2.022.547 banorë, me uljen e vazhdueshme të numrit të tyre brenda vitit 2020 llogaritet të ketë 211.538 njerëz më pak, ose e shprehur ndryshe – numri i përgjithshëm i popullsisë të jetë 1.596.000 banorë. Kjo shpjegohet me shkallën e reduktimit të nxënësve të shkollave të ciklit të ulët dhe të mesëm prej 2.5 për qind çdo vit, shkruan gazeta KOHA. Situata alarmante me uljen e vazhdueshme të numrit të nxënësve ka kulmuar vitin e kaluar, ku për herë të parë shënohet rritja negative e popullsisë me 601 njerëz më pak. Prognoza e errët për Maqedoninë shtrihet edhe në aspektin rajonal. “Kryeqytetet e ardhshme” supozohen të jenë – Rajoni i Shkupi dhe Tetova, si zonat e vetme ku do të vijojë rritja pozitive e numrit të popullsisë, ndërsa “zhdukja” u kërcënohet qyteteve si Manastiri, Prilepi dhe Ohri, të ndjekura nga zona të tjera të nxehta si Kumanova, Strumica, Shtipi apo Velesi. Ulja e numrit të nxënësve sidomos në zonat rurale e shoqëruar me mbylljen e shkollave gjatë këtyre viteve, është reflektuar tek reduktimi i filloristëve. Vetëm në vitin shkollor 2017/2018, në Maqedoni u regjistruan rreth 800 filloristë më pak se një vit më parë dhe mbi 3000 më pak se para dhjetë viteve. Reduktimit nuk i kanë shpëtuar as nxënësit shqiptarë, nga 10 mijë nxënës që nisnin shkollën (nga 29.000 gjithsej), për mësimin në gjuhën shqipe nuk arrijnë të regjistrohen as 7000 nxënës.

“Maqedonia po zhduket. Në punimin e vitit 2018 bëra një analogji mes numrit të nxënësve dhe arrita në konstatimin se ky numër reduktohet me 2.5% poenë në vit. Nëse zbatohet trendi i njëjtë tek numri i përgjithshëm i popullsisë, atëherë del se Maqedonia ka minus 211 mijë njerëz. Trendi në grafik i përllogaritur sipas metodës së katrorëve më të vegjël jep një prognozë të errët për Maqedoninë, pasi deri në vitin 2020, popullsia po reduktohet dukshëm. Është për të ardhur keq që në këtë shekull, ne të merremi me hamendësime sesa është numri i përgjithshëm i popullsisë dhe në të njëjtën kohë të shpresojmë se do të bëhet Regjistrimi i popullsisë. Situata është më dramatike, sidomos po të analizohet sipas rajoneve”, thuhet në studimin më të fundit të publikuar nga Enti i Statistikave të titulluar “Maqedonia Megalopolis 2020”, bazuar në punimin e Marjan Bojaxhievit (2018) dhe konkluzioneve të Qendrës së kërkimeve strategjike pranë Akademisë Maqedonase së Shkencave dhe Arteve (2019).StrugaLajm

Zgjidhja e problemeve kryesore, si zhdukja e popullsisë, fuqia e kufizuar blerëse në Maqedoni (një e treta e asaj evropiane), pabarazi e madhe midis Shkupit dhe qyteteve të tjera, mund të zgjidhet sipas konceptit – “Maqedonia Megalopolis”, ose i gjithë vendi të trajtohet si një zonë e madhe urbane. Sipas këtij studimi, kështu do të inkurajohej zhvillimi ekonomik. Administrata publike të zhvendoset nga Shkupi në dhjetë qytete si Tetovë, Gostivar, Ohër, Manastir, Prilep, Veles, Shtip, Koçan, Strumicë dhe Kumanovë, me Shkupin si kryeqytet ku mund të gjenden Presidenti, Parlamenti, ministritë e punëve të jashtme dhe ajo e shëndetësisë. Në këtë mënyrë, Bruto Prodhimi Vendor në rajone do të rritet me 15% pikë, dhe me zhvillimin ekonomik do të ndikohet në proceset e migrimit të kthyeshëm. Që Megalopolisi i Maqedonisë të funksionojë, duhet të ndërtohet infrastruktura rrugore, që do të kushtonte rreth 3 miliardë euro, shumë që korrespondon me buxhetin deficiti për një periudhë dhjetë vjeçare.

In : Aktuale

Loading...
loading...