Me qëllim të paraqitjes në mënyrë sa më dinjitoze të kulturës dhe artit shqiptar, nesër në Vjenë të Austrisë fillojnë Javët e Kulturës Shqiptare.
Hapja zyrtare e Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri, do bëhet me paraqitjen e ekspozitës “Muscle Memory” nga artisti shqiptar Jakup Ferri.
Ato gjithashtu do të përcillen edhe me Natë DokuFesti, Natë Muzike Klasike, Balet dhe pika kulturore artistiko-shqiptare.
Sipas organizatorit Ermal Vejsa, synim i një festivali të tillë është rritja e numrit të shikueshmërisë dhe veprimtarisë përmes artistëve dhe veprimtarëve mbarkombëtarisht të njohur shqiptarë.
Po ashtu në Javët e Kulturës Shqiptare, qëllim është tërheqja e vëmendjes së pjesëmarrësve austriakë dhe ndërkombëtarë.
Qëllimet e Javëve të Kulturës Shqiptare në Austri, sipas njoftimit zyrtar, janë ruajtja e identitetit, integrimi më i mirë në të gjitha strukturat e shoqërisë austriake, prezantimi i vlerave të mirëfillta që zotëron Diaspora Shqiptare, krijimi i lidhjeve të reja dhe lobimi më i mirë i komunitetit shqiptar në Austri.
Gjithashtu ato kanë për qëllim që të rritin aktivitetet e përbashkëta me të gjitha shoqatat dhe krijuesit shqiptarë në Austri si dhe rritjen e numrit të pjesëmarrësve austriak dhe internacional.