Pushteti vendor dëshiron ta kalojë pa shumë zhurmë legalizimin e tridhjetë objekteve të ndërtuara pa leje, disa prej të cilave në afërsi të liqenit të Ohrit dhe në Parkun Kombëtar Galiçica, në një kohë kur statusi i Ohrit, nën UNESCO, është ende pezull, alarmojnë aktivistët civilë, shkruan Alsat.
Sipas “SOS Ohër”, në brezin e bregut të liqenit prej 50 metrash, për momentin nuk lejohet ndërtimi, e as legalizimi. Ata thonë se është duke u përgatitur një plan urbanistik për bregun e liqenit, i cili do të përcaktojë kufijtë e zonës së brezit të bregut të liqenit, dhe në përputhje me atë kushtet e planifikimit.
“Çdo veprim që synon urbanizimin më të madh në zonat më të ndjeshme rreth liqenit, mund të konsiderohet vetëm në kundërshtim me Planin e Menaxhimit. Edhe më e rëndësishmja, një legalizim i tillë është në kundërshtim me rekomandimet e UNESCO-s”, thonë nga SOS Ohër.
Por, autoritetet vendore nuk shohin asgjë të diskutueshme në legalizimin e këtyre objekteve. Legalizimi i objekteve ishte në rend dite në seancën e djeshme, por me kërkesë të këshilltarëve të LSDM-së, seanca u ndërpre.