SHBA-ja pranon kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave “Javelin”
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill kanë biseduar për miratimin të cilin Kosova e ka marrë nga SHBA-ja për blerjen e raketave antitank “Javelin”.
Siç ka thënë Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Prishtinës në Kongresin Amerikan, i cili do të fillojë procedurën zyrtare, thuhet në njoftim.
Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane, shkruan Danas.
“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha Vuçiq, thuhet në komunikatë.
Vuçiq më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Christopher Hill për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane.
“Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë M. dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.