Kumtesë
Shoqata e Pensionistëve të Arsimit Shqip- Strugë ,
Sot paraqitet me Kumtesë për opinionin e gjërë rreth situatës së krijuar nga Kovid 19 , për fillimin e vitit shkollor 2020/2021.
Shoqata e lartëpërmendur në konsultimin e mbajtur para disa ditësh në lidhje me protokolet e propozuara nga MASH, MSH dhe Komisioni për sëmundje Infektive është e mendimit se propozimi i Institucioneve të përmendura më lartë duhet të përmbahet dhe të ketë përkrahje nga të gjithë.
Kryesia e Shoqatës , anëtarët e së cilës janë pedogogë, mësues dhe edukatorë me përvojë të gjatë në lëmën e arsimit përkrahin propozimin që nxënësit e ciklit të ultë fillor deri në klasën e tretë të ndjekin mësimin nëpër shkolla, pra të jenë prezent në proçesin arsimor nëpër klasa . Mendojmë se nëpër shkolla ka kushte adekuate për një proçes të këtillë . Njëherit në mendojmë se do të jetë shumë më e dobishme për nxënësit e klasave të gjashta dhe të viteve të para të arsimit të mesëm, mësimi të ndiqet nëper shkolla. Jemi të mendimit se nxënësit e klasës së gjashtë dhe të viteve të para të shkollës së mesme kanë nevojë të njihen me ambientet shkollore , me mësimdhënësit dhe në përgjithësi të ambientizohen, sepse ky është viti i parë për ata. Edhe mësimdhënësit do ta kenë më lehtë të njihen me nxënësit në mënyrë direkte dhe jo përmes internetit . Besojmë se nëpër shumë shkolla ka kushte për organizim të këtillë, sepse klasët tjera ( kl.7, 8 , dhe 9 si dhe vitet e dyta , treta dhe të katërta) mësimin do ta ndjekin nga distanca.
E tërë kjo mund të arrihet nëse u përmbahemi rregullave kryesore për të luftuar Kovid 19 , që do të thotë shkollat të jenë të përgatitura në maksimum për sa i përket higjienës, të mundësoj larje të duarve për nxënësit disa herë brenda orarit mësimor, të organizojnë pushimin me grupe , të caktojnë personel të veçantë për mbajtjen e mjeteve për dezinfektim dhe normalisht çdo nxënës të përdor maskë dhe doreza . Nuk duhet harruar as edhe distanca ndërmjet bangave shkollore . Kjo mund të organizohet në dy muajt e parë të vitit shkollor pa probleme , sepse koha është e ngrohtë dhe ajrosja e klasave nuk paraqet kurrfarë problemi. Mund të organizohet mësim edhe në ambientet jashtë shkollore. Nëse e njëjta paraqet problem në muajt vijues MASH do ta ndjek situatën dhe do të propozoj masa të tjera, të cilat në rradhë të parë duhet të orientohen drejt ruajtjes së shëndetit të nxënësve, që është më primare në këto çaste të vështira. Ne gjithashtu mendojmë se kjo çështje që të realizohet me sukses dhe pa pasoja negative është mirë që për përpilimin e mënyrës së organizimit të proçesit edukativo arsimor nëpër shkollat e komunes së Strugës të konsultohen Këshillat e prindërve nëpër shkolla, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme si dhe të gjithë faktorët tjerë përgjegjës për ruajtje nga Virusi që për çdo ditë merr jetë njerëzish.
Kemi qënë me dekada bartës të proçesit edukativo arsimor , me dekada kemi edukuar gjeneratat e reja , prandaj edhe tani e ndjekim me vëmendje këtë çështje të dhimbëshme për arsimin në tërësi.
Strugë,20.08.2020 Shoq. e Pens. të Arsimit Shqip Strugë
Kryetar : Resul Bekteshi