BLENDI PETROL
Aktuale

Afrim Gashi dhe Bardhyl Dauti përfolen si ministrat e Besës dhe PDSH

Ofertat janë marrë dhe presim që këtyre ditëve të finalizohet marrëveshja për rikonstruimin e qeverisë, tha kryeministri Zaev. Ai iu referua takimeve të djeshme me PDSH-në, Lëvizjen Besa dhe fraksionin e deputetëve të saj, të udhëhequr nga Afrim Gashi. Shefi i ekzekutivit tha se negociata vazhdojnë me partitë e vogla politike, të cilat aspirojnë t’i bashkangjiten shumicës parlamentare, por detajet tha se mund t’i komentojnë vet partitë, të cilat për disa ditë duhet të sjellin miratimet për propozimet e marra.

“Dje u takuam me tri parti politike. Gjegjësisht me Besën, pastaj me partinë e udhëhequr nga Afrim Gashi të cilat janë në proces gjyqësor dhe sigurisht do ta zgjidhin mes veti dhe me zotëri Menduh Thaçin, gjegjësisht me PDSH-në. Bisedimet vazhdojnë, edhe sot do të kemi komunikime shtesë dhe unë dua që këtyre ditëve të përfundojmë me këtë temë. Gjithsesi, të gjithë janë në pritje të propozimeve që kryesisht vijnë nga unë si kryeministër, i cili propozon”, tha Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.

Nga Lëvizja Besa e Bilall Kasamit thonë se aspekti programor është harmonizuar me pjesën e programit të qeverisë dhe tashmë ka mbetur që këto dite të finalizohet edhe aspekti kadrovik. Sipas tyre, deri në fund të kësaj jave, organet e partisë do të sjellin vendimin për pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në qeveri.

“Jemi në fazën finale të negociatave. Sa i përket aspekteve programore, tashmë i kemi harmonizuar me pjesën e programit të Qeverise. Tani ka mbetur që këto ditë të finalizohet edhe aspekti kadrovik, por për hir të korrektësisë ndaj procesit negociues nuk mund të japim detaje. Deri në fund të kësaj jave organet e partisë do sjellin vendimin përfundimtar dhe ne do dalim para opinionit publik për të publikuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Lëvizjes Besa në qeveri”, nga Lëvizja Besa.

Jozyrtarisht, TV21 mëson se fraksioni i tre deputetëve të Lëvizjes Besës, kanë marrë ofertën që Afrim Gashi të propozohet për Ministër të Arsimit. Kurse, nga burime brenda-partiake të PDSH-së, mësohet se Bardhyl Dauti është propozuar për zëvendëskryeministër të zbatimit të reformave. Asnjëra nga këto parti nuk e konfirmojnë, siç thonë, deri sa propozimet të shtrohen në kryesitë qendrore të partive dhe të marrin pëlqimet e tyre për t’i konfirmuar emërimet tek kabineti qeveritar. 21 Maqedoni

Artikuj të ngjashëm

 
Back to top button