Davutoglu për gazetën KOHA: Shqiptarët, kyç për paqen në Ballkan

Bisedoi: Vedat MEMEDALIU

KOHA: Zoti Davutoglu, javë më parë ishit në Shkup për promovimin e dy librave tuaj. Çfarë përfaqëson Shkupi për ju?

DAVUTOGLU: Po, këtë herë isha në Shkup për promovimin e librit “Qytete dhe Qytetërime” të botuar më 2016 dhe të përkthyer në shqip dhe maqedonisht menjëherë pas botimit. Veç kësaj u takova me të rinj të Maqedonisë me rastin e dy konferencave që mbajta në Universitetin Ndërkombëtar të Ballkanit në Tetovë dhe në Universitetin e Kirilit dhe Metodit.

Ardhja në Shkup, takimi me Shkupin, për mua ka qenë gjithmonë një privilegj. Kur pata ardhur për herë të parë në vitin 2005 në këtë qytet që e pata njohur dhe dashur përmes Jahja Kemalit pa e parë ende me sy, qeshë ngazëllyer thua se kisha ardhur në viset ku kisha kaluar fëmijërinë. Më duket sikur endem në rrugët e vendlindjes sime, Konjës, apo të Bursës me të cilën jam i dashuruar.

KOHA: Në një nga intervistat tuaja thatë se Buharaja, Konja dhe Shkupi janë tri qytete të ndryshme, por nëse ecni në rrugët e tyre ndjeni të njëjtën gjë. Çfarë mendoni se kanë të përbashkët këto qytete gjeografikisht kaq larg njëri-tjetrit?

DAVUTOGLU: Të gjitha qytetet e Ballkanit, Sarajeva, Selaniku, Prizreni, Tetova, Gostivari, Plovdivi, zënë vend të veçantë në zemrën time. Një pjesë e librit “Qytete dhe Qytetërime” të cilin e promovuam, u kushtohet këtyre qyteteve nën titullin Qytetet e Bijve të Ngadhënjyesve. Me kontributin edhe të përkthimeve tuaja, takimi i të gjitha qyteteve të hapësirës sonë gjeografike me ballkanasit dhe veçanërisht me të rinjtë tanë, më ka gëzuar tej mase. Nëpërmjet jush dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë mundin e tyre si dhe mbarë popullin e Maqedonisë për ftesën dhe interesin e tyre të sinqertë.

KOHA: Ç’mendoni “Pranverën Arabe”? Një kohë keni qenë mbështetës i këtyre zhvillimeve në vendet arabe.

DAVUTOGLU: Në librin mbi të cilin po punoj aktualisht, të titulluar “Tërmeti Sistemik: Populizmi Përjashtues Kundrejt Qeverisjes Përfshirëse Globale”, “Pranverën Arabe” e kam përkufizuar si një “tërmet strukturor” që përfshin thyerje të gjera gjeopolitike, gjeoekonomike dhe gjeokulturore. Vërtet po shohim se kryengritjet arabe kanë krijuar efektin e një cunami në rrafsh rajonal dhe global. Një tërmet efektet e të cilit vazhdojnë të ndihen. Ky tërmet ose cunami i ka vënë në lëvizje të gjitha thyerjet tektonike gjeopolitike, gjeoekonomike e gjeokulturore, duke e shndërruar rajonin në fushëbetejën e konflikteve të brendshme, tensioneve e luftërave më të përgjakshme të shekullit të fundit. Ky tërmet, qoftë në kontekstin e shteteve kombëtare, qoftë në atë të rajonit, nuk u kufizua me një sektor apo hapësirë të caktuar, por shkaktoi një shkatërrim të gjerë strukturor. Kur u shfaq në fillim Pranvera Arabe, kërkesat e shprehura në kuadër të kësaj lëvizjeve rajonale si dhe proceset e ndryshimeve paqësore, me të bënë të lindnin shpresa të mëdha. Kur vetëdjegia e një të riu tunizian (Muhammed Buazizi) me diplomë universiteti i cili punonte si shitës ambulant, shkaktoi një reagim të drejtë shoqëror si kundër krizës ekonomike e cila në atë kohë po ndihej kudo, si kundër regjimeve autokratike të shkëputura prej popujve, kjo lëvizje fitoi mbështetje kombëtare, rajonale e globale. Në vijim, kur masat civile të përbëra kryesisht nga të rinjtë dolën në sheshin Tahrir kundër Mubarekut, në Bengazi kundër Kaddafit, në Hums kundër Asadit, me kërkesën për liri, për një strukturë politike përfshirëse, për një jetë ekonomike dhe shtet të së drejtës mbi bazën e barazisë së mundësive dhe drejtësisë në shpërndarjen e të ardhurave, në sheshe nuk kishte as Shtet Islamik, as organizata terroriste, as konflikte etnike e denominale dhe as pamje të një lufte civile.

KOHA: E ashtuquajtura “Pranverë Arabe” duket se po funksionon vetëm në Tunizi. Sipas jush, pse situata në vendet e tjera degjeneroi në nivele të skajshme, si në Libi e veçanërisht në Siri?

DAVUTOGLU: Po, pasojat shkatërruese që solli Pranvera Arabe përkundër pritshmërive për krijimin e një rendi të qëndrueshëm kombëtar e rajonal, ndodhi përgjatë procesit dhe për shkak të faktorëve të ndryshëm. Në këtë kontekst mund të flitet për tri kthesa dhe procese kritike.

Faza e parë mori formë me lëvizjet revolucionare që erdhën njëra pas tjetrës brenda vitit 2011 dhe përfundoi me tërheqjen në forma të ndryshme të liderëve autokratikë për t’ua lënë vendin qeverive të tranzicionit. Në këtë fazë u nxitën shtresat që kërkonin ndryshim dhe kur qe e nevojshme u sigurua edhe mbështetje politike, diplomatike e ushtarake. Por këto shoqëri, të cilat nuk e kishin një përvojë të tillë politike, u gjendën të papërgatitura për ta drejtuar një proces kaq të gjerë ndryshimi. Megjithë këto mangësi, faza në fjalë kaloi mjaft paqësisht dhe në vitin 2012, në këto vende u zhvilluan zgjedhje paqësore për krijimin e qeverive të përhershme. Në verën e 2012-ës, edhe pse kishte tensione, në vendet përveç Sirisë – erdhën në pushtet qeveritë e dala nga zgjedhjet. Njëkohësisht kjo ishte edhe një sprovë e madhe për sa i përket realizimit të pritshmërive të revolucioneve. Në këtë pikë pati dy sfida kryesore. E para kishte të bënte me ruajtjen e kohezionit të brendshëm të grupeve që u prinë revolucioneve. Grupe të cilat luftuan sup më sup kundër regjimeve autokratike, akoma pa zhvilluar një kulturë rivaliteti paqësor politik, u përfshinë në luftë për pushtet dhe e humbën kohezionin e brendshëm. Kurse sfida e dytë kishte të bënte me realizimin e pritshmërive urgjente të masave mbështetëse të revolucioneve për liri, siguri e mirëqenie.

Pas vështirësive të hasura në këto dy kthesa, tri zhvillime që ndodhën në verën e 2013-ës sollën rezultate që e ndryshuan rrënjësisht karakterin dhe rrjedhën e Pranverës Arabe, duke bërë që thyerjet e vogla tektonike të shndërroheshin në një tërmet strukturor. E para qe shfaqja e organizatës terroriste të Shtetit Islamik me qendër në Irak e cila duke i bashkuar hapësirat kaotike të Irakut dhe Sirisë, shënoi një përparim të shpejtë dhe mori nën kontroll linjën delikate të sigurisë për këto dy vende: Haleb-Rakka-Mosul. Me këtë akt ata ia ndryshuan karakterin Pranverës Arabe dhe tensioni mes regjimit dhe opozitës së ngritur me kërkesën për liri, u shndërrua në tension midis organizatës terroriste dhe regjimit. Zhvillimi i dytë me rëndësi qe grushti i shtetit në Egjipt në korrik të vitit 2013, i cili nxori në dritë brishtësinë e qeverive të reja që kishin ardhur në pushtet me zgjedhje duke bërë që elementet e regjimeve të vjetra autokratike të riorganizoheshin thuajse në çdo vend dhe të ndërmerrnin lëvizje antirevolucionare. Kurse zhvillimi i tretë qe kur asnjë sanksion nuk u ndërmor ndaj regjimit sirian kur ky i fundit, me vetëbesimin e fituar nga dy zhvillimet e lartpërmendura, në gusht të 2013-ës i kapërceu të gjitha vijat e kuqe dhe përdori armë kimike kundër popullit të vet. Mosndëshkimi i këtij krimi të hapur lufte, qe një ngjarje e cila pas Srebrenicës e rrëzoi edhe njëherë përtokë imponueshmërinë e së drejtës dhe të institucioneve ndërkombëtare, duke e zhdukur terrenin parimor të rendit rajonal dhe global.

KOHA: Dikur ju ishit krah për krah me të ashtuquajturën lëvizje gyleniste. Për një lexues të painformuar a mund të shpjegoni cila qe arsyeja për ndarjen që ndodhi midis kësaj lëvizjeje dhe partisë suaj, ose shkurt, ç’i dallon ata nga pikëpamja ideologjike?

DAVUTOGLU: Kjo organizatë të cilën ju e quajtët lëvizje, me grushtin e shtetit të 15 korrikut, e ka treguar se është një organizatë terroriste. Por populli kryelartë turk iu kundërvu me jetën e vet kësaj tentative dhe i doli për zot atdheut, kombit e demokracisë. Elementet që e bëjnë të ndryshme këtë tentativë nga të tjera puçe të ngjashme, lidhen me bazat ideore, sociale, ekonomike, burokratike e ndërkombëtare nga ushqehet kjo organizatë e cila drejtoi këtë puç. Shndërrimi gradual i njerëzve të cilët kjo organizatë përpiqej t’i përfshinte në radhët e saj, nga simpatizantë në anëtarë, në militantë apo siç shprehen ata, në shpirtra të përkushtuar e në fund në flamurtarë apo imamë, ndodhte si pasojë e një procesi ideor. Në këtë proces ideor, besimi islam shtrembërohej nëpërmjet një mendësie tejet të gabuar lidhur me burimin epistemologjik dhe në këtë mënyrë ndërtohej një mendësi e re me bazë mesianike ku mendja çaktivizohej plotësisht. Pa u zbërthyer kjo mendësi nuk është e mundur të kuptohen kodet e sjelljes të kësaj strukture.

Sipas besimit islam, tipari themelor që e dallon njeriun nga qeniet e tjera dhe e bën më të nderuarin e krijesave (eshref el-makhlukat) është aftësia për të menduar: “Thuaj, a janë njësoj ata që dinë me ata që nuk dinë? Por vetëm njerëzit me arsye kujtohen”. Ky ajet e thotë qartë se vetëm njerëzit me arsye mund ta kuptojmë dallimin midis dijes dhe mosdijes. Të jesh njeri me arsye do të thotë ta përdorësh lirisht dhe autentikisht si pjesë të vetes mirësinë e mendjes të falur prej Zotit. Ata që veprojnë me mendjen e të tjerëve, apo që ndjekin mendjen e të tjerëve pa përdorur të tyren, nuk mund të jenë plotësisht njerëz me arsye. Për të ditur vërtet, ose për të patur dije, fillimisht duhet patur arsye. Kjo është pika themelore ku kjo organizatë ndahet prej besimit islam të kryerrymës. Një privilegj që nuk i atribuohet dhe nuk është pretenduar as prej Hazreti Ebu Bekrit, i atribuohet liderit themelues të kësaj organizate. Besimi se mund të ketë një lider i cili këshillohet me Profetin Muhammed jo vetëm në ëndërr por edhe zgjuar, ka sjellë me vete edhe një nënshtrim e kushtëzim mendor që e ka zhdukur aftësinë për të menduar.StrugaLajm

Transformimi që ka ndodhur bashkë me këtë nënshtrim e kushtëzim, në fillim është fshehur nën maskën e veprimtarive të një shoqërie civile e cila nën maskën e veprimtarive humanitare ka depërtuar në hapësirën sociale. Cilësimi si “hizmet”, domethënë “lëvizje për shërbim ndaj shoqërisë”, është përdorur për të fshehur vaprimtaritë me synim pushteti. Burimet e njerëzve zemërmirë e humanitarë të Anadollit janë keqpërdorur për të përqendruar pushtetin që do të përdorej më vonë. Në këtë mënyrë është krijuar terreni shoqëror e financiar për lëvizjet që do të ndërmerreshin në fazat e mëvonshme.

Kjo organizatë e vetëparaqitur si një bashkësi e zgjedhur dhe e përkushtuar, në këtë mënyrë në fillim nisi të depërtojë në çdo hapësirë të jetës sociale, pastaj ta kontrollojë këtë hapësirë dhe së fundmi t’i njohë të drejtën vetes për ta sunduar atë. Madje këtë të fundit e ka parë si detyrë. Për kontrollimin e të gjithë hapësirës sociale që nga organizatat humanitare tek shoqatat e biznesit, klubet sportive e mediat, strukturat e tjera të shoqërisë civile në këto hapësira kanë filluar t’i shohin si armiq që duhet hequr qafe dhe në këtë mënyrë, hapësirat e shoqërisë civile të cilat duhet të bartin larmi, me kohë u kanë shërbyer si terren për monopolizim.

Hapi më i planifikuar e strategjik në këtë drejtim është hedhur në fushën e arsimit. Rëndësia që i jepet arsimit në traditën islame dhe pretendimi për të formuar brezin e artë, ka ushtruar një gravitet të madh tek masat e gjera të Anadollit të cilat për dhjetra vjet me radhë qenë përjashtuar nga elitet e huajëzuara. Përqendrimi në fushën e arsimit u është përgjigjur tri nevojave njëkohësisht: një legjitimiteti të fuqishëm shoqëror, rritjes së burimeve financiare bashkë me arritjen e këtij legjitimiteti dhe së fundmi krijimit të një burimi të mobilizuar e të indoktrinuar njerëzor. Ajo që i duhet kushtuar vëmendje këtu është se veprimtaritë e zhvilluara nën çatinë e shërbimit ndaj shoqërisë janë parë si mjet për organizimin social e ekonomik, kurse veprimtaritë arsimore si mjet për të shtënë në dorë së pari burokracinë e pastaj edhe shtetin mbarë. Siç e dini edhe ju, Turqia po zhvillon një luftë intensive brenda vendit kundër kësaj organizate. Por edhe vendet ku kjo organizatë vazhdon të veprojë, duhet të luftojnë kundër saj me të njëjtën vendosmëri. Toleranca që do të tregohet ndaj kësaj organizate e cila mund të shkaktojë destabilitet edhe në ekuilibrat e brendshëm të këtyre vendeve, mund t’u sjellë probleme serioze këtyre vendeve.

KOHA: Për herë të parë politika turke ka qenë tejet aktive në Ballkan. Kjo qasje e re ka shkaktuar shumë debate, deri në akuzat për një kthim të Turqisë në rajon, ose siç e quan ndokush, “neootomanizëm”.

DAVUTOGLU: Të përpiqesh ta kuptosh apo ta përkufizosh politikën e jashtme të Turqisë në rajon nëpërmjet konceptit të “neootomanizmit”, është një qasje sipërfaqësore dhe e gabuar. Ky është një term të cilin ne kurrë nuk e kemi përdorur në retorikën tonë të politikës së jashtme. Ata që e përdorin këtë term, duke na e atribuuar neve, kanë për qëllim të ngrejnë barriera psikologjike mes Turqisë dhe vendeve të Ballkanit.

Por askush prej nesh nuk mund ta mohojë trashëgiminë osmane që bart ky rajon. Jemi të detyruar ta kujtojmë me një cep të mendjes faktin se proceset e kombndërtimit ku hynë njëra pas tjetrës vendet e rajonit pas shkëputjes nga Perandoria Osmane, në të njëjtën kohë janë procese të ndërtimit të identiteteve moderne. Formimi i identiteteve moderne është një proces autentik për çdo komb në rajon, përfshirë edhe ne. Por këto procese janë konceptuar mbi mohimin e trashëgimisë osmane. Kemi të bëjmë me një perceptim të Perandorisë Osmane si “tjetri”. Por pa u kuptuar historia osmane, s’mund të kuptohet as historia dhe identiteti i Evropës, i Lindjes së Mesme e i Ballkanit. Sot në historiografitë kombëtare të të gjitha kombeve që bartin trashëgiminë osmane, ka qorrsokakë seriozë metodologjikë e ideorë. Prandaj të gjithë ne duhet të ballafaqohemi me historiografitë dhe identitetndërtimet tona. Sigurisht që historia dhe vuajtjet historike nuk mund të injorohen, por në ndërtimin e së ardhmes të gjithë duhet të zhvillojmë perspektiva shumë të ndryshme. Kjo mendësi dhe ky vizion gjendet në themel të politikave të jashtme në drejtim të rajonit që Turqia ka zhvilluar në periudhën e fundit.

Hapësirës së Ballkanit, e cila në përgjithësi përdoret bashkë me nocionet e copëtimit e shpërbërjes, Turqia i është qasur me një vizion të ri. Kemi besuar se Ballkani mund të vërë në jetë idetë e bashkëpunimit dhe të rendit rajonal duke ruajtur tërë larminë e tij. Kemi punuar mbi projekte dhe mekanizma që mund t’i bashkojnë rreth një qëllimi e vizioni të përbashkët vendet e Ballkanit si dhe Turqinë si një vend i Ballkanit. Kemi prodhuar politika jo rreth boshtit të krizave, por të vizionit, të përqendruara jo rreth ideologjisë por rreth vlerave, të orientuara jo drejt së shkuarës, por drejt së ardhmes. Serbia dhe Turqia, dy vende të cilat në vitet 1990 nuk mendohej kurrë se do të mund të bashkëpunonin, u bashkuan nëpërmjet mekanizmit tripalësh të bashkëpunimit Turqi-Serbi-Bosnje Hercegovinë. Ngjashëm me këtë krijuam edhe mekanizmin e bashkëpunimit Turqi-Bosnje Hercegovinë-Kroaci. Marrëdhëniet dypalëshe midis Turqisë e Maqedonisë gjithmonë janë parë si model i marrëdhënieve dypalëshe në rajon. Sot Turqia është në pozitën e një vendi që mund të krijojë dialog dhe të zhvillojë hapësira bashkëpunimi me të gjitha elementet e ndryshme në rajon.

KOHA: A ka ndonjë ndërhyrje më të thellë të Turqisë në rajon, si për shembull mbështetje apo nxitje të partive të caktuara politike apo të tjera forma?

DAVUTOGLU: Pjesë e rëndësishme e vizionit dhe politikave tona ndaj rajonit, pa dyshim është respekti për funksionimin demokratik të vendeve të rajonit. Çështja kryesore që kam theksuar në takimet me liderë të partive të ndryshme politike këtu, ka qenë domosdoshmëria që çdo identitet politik që të jetë në pushtet, të ndjekë politika përbrendësuese e përfshirëse. Sot kushti themelor për shtetet kombëtare që ta ruajnë unitetin e tyre, është ndjekja e politikave përfshirëse ndaj të gjitha grupeve të ndryshme fetare e etnike që jetojnë në vend. Mosdobësimi i identitetit qytetar është me rëndësi jetike për këto vende. Në këtë kuptim Maqedonia shfaqet si një model edhe i brishtë, edhe shembullor. Maqedonia mund të shihet si një Ballkan në miniaturë, ose Ballkani si një Maqedoni e madhe. Sot në Maqedoni, presidenti i vendit përfaqëson një krah politik, kryeministri një krah tjetër dhe kryetari i parlamentit një krah tjetër. Kjo situatë është shumë e rëndësishme për të ardhmen demokratike të Maqedonisë. Si Turqi ne gjithmonë i ndjekim nga afër, por me respekt proceset e brendshme demokratike në Maqedoni. Të gjitha vendet herëpashere kalojnë periudha të vështira si ajo që kaloi Maqedonia së fundmi, por e rëndësishme është që këto periudha krizash të kapërcehen me lehtësi dhe nëpërmjet kulturës së kompromisit. Besoj se Maqedonia e ka arritur këtë gjë. Po ashtu besoj se atmosfera demokratike do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen së afërmi.

KOHA: Që nga largimi i Perandorisë Osmane, muslimanët e Bosnjës, e sidomos shqiptarët në Ballkan, janë parë nga kombet e tjera si “zgjatime turke”, kryesisht për shkak të përkatësisë fetare. Sipas jush, deri ku arrin interesi i Turqisë për rajonin dhe ç’pamje duhet të ketë Ballkani?

DAVUTOGLU: Shqiptarët janë në krye të popujve autentikë e autoktonë të Ballkanit. Kurse për ne shqiptarët janë edhe miq historikë, edhe vëllezër, edhe nënshtetas. Parë historikisht, shqiptarët në Perandorinë Osmane kanë nxjerrë kryeministra, ministra, pashallarë, shkencëtarë e artistë të panumërt dhe kanë qenë pjesë e indit kryesor të këtij shteti e të kësaj shoqërie. Po ashtu shqiptarët janë parë si element përbërës edhe gjatë procesit të themelimit të Republikës së Turqisë e më vonë. Nuk duhet harruar se fjalorin e parë të turqishtes e ka hartuar një shqiptar (Sami Frashëri) kurse himnin kombëtar të Turqisë po ashtu e ka shkruar një shqiptar (Mehmet Akifi). Edhe sot e kësaj dite, Republika e Turqisë është atdheu ndoshta i më shumë shqiptarëve se ç’është Shqipëria. Prandaj dhe gjatë Luftës së Kosovës, shqiptarët i kthyen sytë drejt Turqisë. Po ashtu edhe ndihmat më të mëdha për refugjatët janë ofruar nga Turqia.

Shqiptarët gjithashtu janë në krye të popujve kyç për paqen në Ballkan. Bashkëjetesa e shqiptarëve në paqe me popujt e tjerë të Ballkanit në vendet ku jetojnë, dhe sot ata jetojnë në shtatë vende të Ballkanit, është një nga kushtet kryesore për paqen në rajon. Ky është edhe parimi ynë themelor si Republikë e Turqisë.

In : Aktuale

Loading...
loading...